Kombetarja

Tjetër firo, talenti 18-vjeçar braktis Shqipërinë për Greqinë

Vijon të ashpërsohet “beteja” Shqipëri-Greqi për talentet e futbollit. Pas Florin Durmishajt dhe Romario Vrushajt, nga kombëtarja kuqezi është larguar një tjetër talent me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për mbrojtësin Leonidas Rossi, i cili ka zgjedhur të luaje për përfaqësuesen u-21 të Greqisë. Lajmi është njoftuar nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila bën me dije se 18-vjeçari Leonidas Rossi ka refuzuar të grumbullohet me kombëtaren e Shqipërisë, pasi i ka ardhur një ftesë nga ekipi helen.

Mbrojtësi Leonidas Rossi të cilit i ishte dërguar një ftesë zyrtare nga trajneri Alban Bushi për grumbullimin, fillimisht e kishte pranuar ftesën. Por ditën e djeshme lojtari është njohur me listën e shpallur nga U-21 e Greqisë, që e ka bërë të ndryshojë mendje. Ai ka refuzuar grumbullimin me Shqipërinë dhe ka kaluar me ekipin U-21 grek. Mësohet se trajneri i kombëtares “Shpresa”, Bushi ka marrë kontakt me babain e lojtarit, i cili është shprehur se qëndrimi i tyre ka ndryshuar dhe lojtari ka zgjedhur të përfaqësojë Greqinë. Ky është një tjetër rast, ku strukturat e Federatës Shqiptare të Futbollit e humbasin betejën e tyre me federatat e vendeve të tjera për talentet me origjinë shqiptare.

Sakaq FSHF ka bërë me dije se lista e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare eliminatore të U21 kundër Turqisë dhe Andorrës ka pësuar edhe një ndryshim tjetër. Sulmuesi i Partizanit, Rubin Hebaj ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi duke u zëvendësuar nga sulmuesi i Laçit, Redon Xhixha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë