Futboll

Titulli numër 19, Milani shpallet kampion pas 11 vitesh

Gazeta Si - Ja ku vjen edhe titulli numër 19 për Milanin. Me 86 pikë, 2 më shumë se Interi rival, kuqezinjtë kanë zyrtarizuar trofeun javën e fundit. Ishte një fitore më e thjeshtë nga sa mund të mendohej, pas asnjë lloj tensioni.

Rezultoi një shëtitje transferta e Sasuolos për skuadrën e Stefano Piolit. Skuadra vendëse ishte katastrofë në mbrojtje dhe kuqezinjtë ‘hipotekuan’ fitoren pa shumë mundim.<blockquote

Zhiru feston një nga golat ndaj Sasuolos. Gazeta Si, 22 maj 2022

Milani nuk la shumë vend për ëndrra dhe histori. Asnjë lloj ankthi në radhët e skuadrës kuqezi. Titulli u vendos që në pjesën e parë, kur Olivier Zhiru shënoi dy herë në portën e Sasuolos. Frenk Kesi kompletoi fitoren me golin e tretë.

Interi qëndroi në pritje gjatë pjesës së parë. Në të dytën, pasi humbi çdo shpresë titulli, skuadra e Inzagit bëri detyrën ndaj Sampdorias, duke shënuar edhe ajo tri herë. Perisic dhe më pas dy herë Korrea shënuan për zikaltrit.

Stadiumi “Mapei” ishte i mbushur plot me tifozë kuqezi. Ata mezi e prisnin këtë moment dhe nuk mund të mungonin në ditën e titullit. Mijëra tifozë të tjerë të Milanit nisën festën në Milano pas pjesës së parë. Pastaj pushtuan sheshet dhe rrugët.

Ky titull vjen për Milanin pas 11 vitesh vuajtje, revolucione dhe ndryshim pronësie. Gjatë kësaj kohe ka fituar vetëm një trofe, Superkupën e Italisë në 2016-ën. Tani ky ekip rikthehet në ‘çatinë’ e Italisë.

Rrugëtimi i nisur në tetor 2019 me Stefano Piolin kurorëzohet tashmë me titullin, që gjithë Milano kuqezi priste. Për trajnerin nga Parma është titulli i parë në karrierë. E ka merituar plotësisht me atë që ka bërë në krye të Milanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë