Futboll

Titullarë fiksë në 3 kampionatet më të fortë, kuqezinjtë bëhen faktor në Europë

Fatjon Rupi - Fundjava që shkoi nuk solli gola të ‘firmës’ kuqezi në Europë, por evidentoi një fakt shumë domethënës: shumica e lojtarëve të Kombëtares shqiptare tashmë janë bërë titullarë fiksë në skuadrat e tyre në tre nga pesë kampionatet më të fortë të Europës. Dhe nuk janë pak, por gati gjithë formacioni kuqezi, çka do të thotë se Shqipëria mund të bëjë shumë shpejt atë kapërcimin e shumëpritur në kualitet.

Në Itali, Spanjë dhe Angli, lojtarët e Kombëtares janë gjithmonë prezent. Le t’i marrim me radhë, duke nisur nga porta…

Tomas Strakosha, portieri shqiptar i Lacios. Gazeta Si, 7 mars 2022

Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha ishin titullarë me Lacion dhe Torinon. Që të dy e ruajtën rrjetën të paprekur, Lacio fitoi 0-3 në fushën e Kaljarit, kurse Torino barazoi 0-0 në Bolonja. Berisha rikthehet titullar pas një kohë të gjatë, ndërsa Strakosha po luan rregullisht tashmë.

Elseid Hysaj nuk mori minuta këtë fundjavë, ndërkohë që në të djathtë të mbrojtjes është Ivan Balliu që po spikat si titullar në formacionin e Rajo Valekanos në Spanjë. Marash Kumbulla luajti 90 minuta në fitoren 1-0 të Romës ndaj Atalantës së Gjimshitit, i cili këtë herë luajti si zëvendësues.

Kumbulla ndaj Atalantes. Gazeta Si, 7 mars 2022

Në mesfushë, Keidi Bare ka krijuar tashmë profilin e lojtarit të domosdoshëm për Espanjolin dhe nuk mungoi në fitoren 2-0 ndaj Getafes. Një mesfushor që po spikat gjithmonë e më shumë, edhe pse në moshë të re, është Kristjan Asllani i Empolit, në fushë nga minuta e parë ndaj Xhenoas, ashtu si dhe Nedim Bajrami, që e ka ngritur ndjeshëm nivelin e tij gjatë kampionatit.

Bare feston me ekipin nje nga golat ndaj Getafes. Gazeta Si, 7 mars 2022

Për sulmin, nuk ka dyshim që ylli kuqezi është Armando Broja, protagonist në Premier Ligë. Ai po luan gjithmonë për Southemptonin dhe, edhe pse nuk shënoi në humbjen 4-0 ndaj Aston Vilës, vlerësimet nuk kanë munguar. Për të kuptuar progresin e jashtëzakonshëm të Brojës, mjafton të përmendet fakti se vlera e kartoit të tij po arrin shifra shumë të larta, mbi 50 milionë euro, ndërsa Çelsi po mendon ta mbajë për vete sezonin e ardhshëm.

Por jo vetëm Broja. Myrto Uzuni ka bërë hapin e madh me kalimin në Spanjë, ku po luan titullar te Granada. Nuk ka gjetur ende golin e parë, por duket më shumë një ngërç psikologjik. Ndaj Valencias, ku Granada humbi 3-1, qëndroi 90 minuta në fushë. Rei Manaj ka besimin e plotë të Tiago Motës te Specia dhe ndaj Juventusit zbriti në fushë nga minuta e parë.

Uzuni ndaj Valencias. Gazeta Si, 7 mars 2022

Ndryshimi është i madh tashmë, me këtë gjeneratë lojtarët që kemi. Nuk ka më kuriozitet për minutat me “pikatore” që kuqezinjtë merrnin dikur në Europë, tashmë ata janë protagonistë të vërtetë në 3 prej skenave më të mira të futbollit europian, titullarë fiksë dhe autorë golash, apo paraqitjesh shumë të mira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë