Futboll

Titullar ndaj Liverpulit, por Broja ka humbur koordinatat e golit

Gazeta Si - Armando Broja ishte në fushë që nga minuta e parë edhe sot ndaj Liverpulit, por goli i mungoi sërish. Sulmuesi kuqezi nuk po kalon një moment të mirë, ai ka humbur jo pak nga forma e mëparshme.

Ndeshja e sulmuesit 20-vjeçar ndaj “të kuqve” zgjati 83 minuta. Liverpuli fitoi 1-2 me përmbysje, ndërsa Broja edhe këtë herë nuk mundi të linte gjurmë. Përjashtim bën vetëm një driblim në zonë ndaj Matip, por i pafinalizuar me gol.

Armando Broja. Gazeta Si, 17 maj 2022

U bënë shumë javë që lojtari më premtues i Kombëtares së Shqipërisë ka humbur koordinatat e golit. Ndoshta në këtë rënie të formës së tij kanë ndikuar edhe zërat e merkatos. Broja është një nga sulmuesit më të kërkuar edhe nga klube të mëdha europiane, ndërsa vendimi i takon Çelsit, që ka kartonin e tij.

Në gjysmën e parë të sezonit, sulmuesi kuqezi shënoi gola të rëndësishëm për Sauthemptonin. Por edhe kur nuk shënonte, ai linte mbresa me lojën e tij, kurse javët e fundit e ka ulur ndjeshëm ritmin.

Liverpuli ndërkohë, me fitoren e sotme ndaj Sauthemptonit, i afrohet sërish me një pikë Mançester Sitit. Në këtë mënyrë, titulli kampion në Premier Ligë do të vendoset në javën e fundit të kampionatit.

Ndeshjen e sotme skuadra e trajnerit Jurgen Klop nuk e nisi mirë. Sauthemtoni i Brojës kaloi në avantazh pas 13 minutash me Redmond, por më pas erdhi kundërpërgjija e Liverpulit. Minamino barazoi shifrat, kurse Matip shënoi në pjesën e dytë golin e fitores.

“Shenjtorët” e kanë siguruar qëndrimin në Premier Ligë, pasi pas 37 javësh kanë grumbulluar 40 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë