Futboll

Titullar me Atalantën, Berat Gjimshiti lumturon Panuçin

Në stresin e lëvizjeve të fundit para shpalljes së listës zyrtare të lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjet e “Nations League” me Izraelin dhe Skocinë, trajneri i Kombëtares, Kristian Paunuçi, ka marrë një lajm të mirë. Mbrojtësi i qendrës, Berat Gjimshiti, po luan titullar me Atalantën dhe është një pikë, ku trajneri i kuqezinjve mund të mbështet për prapavijën. Pasi u kthye nga huazimi te Benevento, Gjimshiti pritej të largohej sërish nga Atalanta, që ka kartonin e tij, por trajneri Gasperini i ka besuar mbrojtësit shqiptar një fanellë titullari në ndeshjet e fundit. Duket se shtatlarti kuqezi ka hapur një kapitull të ri në karrierën e tij.

Gjimshiti luajti titullar në ndeshjen e Europa League kundër izraelitëve të Hapoel Haifa. Po ashtu, ai ishte në fushë për 90 minuta në fushë gjatë ndeshjes me Frozinonen, ku Atalanta fitoi 4-0 dhe pas javës së parë kryeson renditjen e Serisë A. Gjimshti ka marrë vlerësime pozitive për paraqitjen e tij në këtë ndeshje, ku skuadra e tij nuk pësoi asnjë gol. Portieri Etrit Berisha, i cili gjithashtu është pjesë e Atalantës, nuk luajti ndaj Frozinones.

Gjimshiti feston me Kornelius fitoren ndaj Frozinones

Ky është një lajm shumë i mirë për trajnerin Panuçi, kur dihet që dy nga mbrojtësit me përvojë të Kombëtares, Mërgim Mavraj dhe Arlind Ajeti, janë ënde pa ekip dhe kuptohet që gjendja e tyre në prag të ndeshjeve me Izraelin dhe Skocinë është larg optimales. Mbrojtësi tjetër, Frederik Veseli, pjesë e Empolit të ngjitur në Serinë A, ka qenë në stol në ndeshjen e parë. Për krahun e djathtë trajneri i kuqezinjve është i qetë, pasi ka Elseid Hysajn, titullar me Napolin edhe pas ardhjes së Ançelotit, ndërsa për krahun e majtë trajneri italian ka menduar të thërrasë për herë të parë Besir Demirin, pjesë e Mariupolit në Ukrainë.

Gjimshiti me fanellën kuqezi gjatë ndeshjes me Izraelin

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë