Futboll

Tite largohet pas Botërorit të Katarit, Brazili në sulm për Pep Guardiolën

Gazeta Si - Nga Tite, te Guardiola. Kjo është ideja e Federatës së Futbollit Brazilian për atë që do të drejtojë Seleçaon pas Botërorit të Katarit. Një ide që është përmendur edhe më parë, por që tashmë është bërë më konkrete, sipas të përditshmes spanjolle “Marca”.

Trajneri aktual i Brazilit, Tite, ka vendosur të largohet nga detyra që mban prej vitit 2106, kur pasoi Dungën, pas Botërorit të këtij viti. Dhe për ta zëvendësuar, presidenti i ri i federatës, Ednaldo Rodrigues, i zgjedhur më 22 mars, po kërkon një trajner të huaj. Ai do të bëjë gjithçka për të marrë trajnerin katalanas, në kontratë me Sitin deri në vitin 2023. Guardiola ndoshta për pak muaj mund bëjë të dyja detyrat.

Pep Guardiola. Gazeta Si, 7 prill 2022

Pep e ka thënë shpesh se dëshiron të drejtojë një kombëtare. Duhet marrë në konsideratë natyrisht edhe ana ekonomike: sipas “Marca”-s, federata braziliane mund t’i ofrojë Guardiolës 12 milionë neto në sezon për 4 vjet, deri në Botërorin 2026. Janë 10 milionë më pak në krahasim me 22 milionët që Guardiola fiton aktualisht te Siti.

Drejtuesit brazilianë gjithsesi janë të vendosur ta provojnë dhe kanë kontaktuar me vëllanë agjent të Guardiolës. Për këtë temë është folur edhe verën e kaluar, kur trajneri katalanas tha: “Po, nëse është mundësia, hapi i radhës në karrierë është të drejtoj një kombëtare. Pas shumë vitesh te Siti, kam nevojë të ndalem pak dhe të drejtoj një kombëtare. Do të më pëlqente të drejtoja në një Europian, një Botëror apo Kupë Amerike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë