Futboll

Tiranën e lë “bateria”, fiken dritat dhe ndeshja shkon 150 minuta

Defektet ndodhin kudo, por te ne janë bërë rrugë, ndaj dhe jemi ende larg të qenit profesionistë edhe në futboll. Disa prozhektorë të ndriçimit të stadiumit “Selman Stërmasi” u fikën pas 20 minutash lojë të ndeshjes Tirana-Teuta, që filloi në orën 19:00 dhe përfundoi në orën 21:30. Me shumë vonesë, pasi u desh kohë, rreth 40 minuta, që të riparohej defekti në ndriçim, duke bërë kështu që kjo ndeshje të zgjaste 150 minuta. Me këtë stadium ka ndodhur edhe më parë kjo situatë, ndaj dhe UEFA me të drejtë nuk e ka licencuar për të luajtur ndeshje në mbrëmje, kurse ne vazhdojmë të jemi “kokëfortë”.

Sa i takon ndeshjes, ajo përfundoi në barazim, 0-0. Një rezultat që sigurisht kënaq Teutën, pasi Tirana synonte fitoren e dytë radhazi për të konfirmuar pretendimet e saj për titullin kampion këtë sezon, ku feston 100-vjetorin e krijimit. Para ndeshjes u prezantuan edhe dy blerjet e fundit, ish-lojtarët e Kombëtares, Andi Lila dhe Kristi Vangjeli. Duhet theksuar se Tirana nuk pati fatin në anën e saj, pasi tri herë goditi shtyllat e portës së Teutës, me Hoxhallarin, Ngo, të dy brenda një aksioni, si dhe me Hasanin në pjesën e dytë. Në kampin bardheblu pati edhe një rast, ku u pretendua për penallti.

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, kishte mungesën e rëndësishme të Torasës për shkak dëmtimi, ndërsa në sulm aktivizoi Ngo titullar në vend të Dungës. Edhe ndërrimet e bëra në pjesën e dytë nuk e çuan skuadrën kryeqytetase te goli, që do t’i jepte fitoren. Teuta luajti me formacionin e ndeshjes së javës së parë. Të dyja skuadrat kanë nga 4 pikë pas 2 ndeshjesh.

Kjo ishte ndeshja e parë e javës së dytë të kampionatit, që vazhdon sot me sfidat Flamurtari-Kukësi, Laçi Skënderbeu, Luftëtari-Partizani dhe Bylis-Vllaznia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë