Ngjarje

Tiranë, 30-vjeçarja humb jetën 4 ditë pas lindjes në maternitetin ‘Koço Gliozheni’. Familjarët akuzojnë mjekët

Gazeta Si - Një 30-vjeçare me iniciale M.V., nga Ballshi, e cila jetonte me qira inë Tiranë, ka ndërruar jetë në maternitetin e ri "Koço Gliozheni" pas lindjes.

E reja, e cila ka lindur të shtunën e kaluar (28 janar 2023), paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën për shkak të një "trombo-embolie pulmonare, e shoqëruar me arrest kardiak".

Në deklarimin zyrtar të maternitetit, thuhet se 30-vjeçarja është shtruar në spital më 28 janar dhe nuk ka pasur patologji shoqëruese. Por, duke folur për mediat, familjarët e viktimës, kanë akuzuar mjekët për neglizhencë në shërbim.

Sipas njoftimit të spitalit, thuhet se lindja natyrale ka shkuar mirë dhe e reja ka sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm.

Në deklaratë theksohet se pas 48 orësh qëndrimi në spital, ku ka marrë shërbimin e nevojshëm, nëna ka dalë nga spitali me dëshirën e saj, në gjendje shëndetësore të stabilizuar.

Më pas thuhet se, disa ditë pas lindjes, ajo "është paraqitur në spital me dobësi trupore dhe menjëherë, pacientja është shtruar në repartin e terapisë intensive", ku sipas njoftimit është trajtuar komfom të gjitha protokolleve mjekësore.

“Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, gjendja e pacientes është rënduar në mënyrë të shpejtë, duke ndërruar jetë”, thuhet në deklaratën e maternitetit.

Ndërkohë, familjarët shprehen se vajzë nuk i është bërë shërbimi i duhur. Halla e të ndjerës, është shprehur se 30-vjeçarja, pasi i ka dalë efekti i gjilpërës pas lindjes, ka pasur dhimbje të forta trupore.

Sipas saj, e ndjera nuk ka pasur asnjë shqetësim më përpara, ndërsa kur ka shkur sërish në spital ka patur dhimbje brinjësh dhe këmbësh.

Ka shkuar ne spital në 3 të natës dhe ka lindur në 3 pasdite. Familjarët thonë se nuk ka pasur asnjë shqetësim më përpara. Ka pasur dhimbje brinjësh dhe këmbësh.

"Faji është i doktorit, i ka bërë gjilpërë shumë. Ta fusnin në sallë të operimit nëse nuk kanë pasur mundësi të bënin lindje. Mjekët duan lekë. Kishte dhimbje këmbësh, na tha se po më del efekti i gjilpërës. Dhe kishte dhimbje të forta, njërën këmbë nuk e ndiente”, tha ajo jashtë kamerave.

Tashmë priten rezultatet e mjekësisë ligjore për të mësuar shkakun e humbjes së jetës së nënës 29-vjeçare. Para 2 ditësh një 34-vjeçare ka ndërruar jetë në Elbasan, pasi ka kryer një procedurë aborti. Në lidhje me këtë rast, janë vënë nën hetim dy mjekë të këtij spitali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë