Ngjarje

Tiranë, 10 mijë euro për një vizë amerikane, 5 të arrestuar. Skema e mashtrimit reklamohej në rrjetet sociale

Gazeta Si - Pesë persona janë arrestuar në Tiranë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për mashtrim me viza amerikane dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Një nga të dyshuarit kryesor, shtetasi me iniciale R.N., ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

R.N i shoqëronte aplikantët para intervistës në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe u mësonte çfarë të thonin gjatë intervistës. Pasi dilnin nga intervista, ai u merrte pagesën prej 10 mijë eurosh.

Grupi i të arrestuarve reklamonte në rrjetin social ‘Instagram’ në faqen ‘viza_amerikane_insider’ aktivitetin e paligjshëm, duke i siguruar ndjekësit se do u garantonin pajisjen me viza amerikane 10-vjeçare.

Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane.

Policia bën me dije se vazhdojnë hetimet për persona të tjerë fizikë dhe juridikë, apo subjekte të tjera të përfshira në këto skema mashtrimi me viza amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore.

“Në vijim të këtyre hetimeve, më datë 08.02.2024, janë arrestuar dhe vënë në ekzekutim 5 vendime gjykate për masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për gjashtë shtetas, R. N., K. P., K. K., K. L. dhe Xh. S., si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore. Në disa raste i dyshuari kryesor R. N. ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane. Vazhdojnë hetimet për persona të tjerë fizikë dhe juridikë, apo subjekte të tjera të perfshira në këto skema mashtrimi me viza amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore”, njofton policia.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar jep informacion dhe për emrin e faqes në Instagram që përdorej për qëllime të tilla.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore në funksion të këtij procedimi, rezulton se shtetasi R.N., nëpërmjet adresës në rrjetin social ‘Istagram’, emrin “viza_amerikane_insider”, kishte vendosur postimin “viza Amerikane me garanci 100%. “Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet. 0683318483".

Mësohet se shtetasi me inicialet R.N paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës.

Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kulifikoheshin, ai merrte shumën prej 10.000 eurosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë