Ngjarje

Mashtrimi me vizat amerikane, ambasada e SHBA-ve: Aplikimet dorëzojini vetë, jo me konsulentë dhe agjenci

Gazeta Si - Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka falënderuar autoritetet shqiptare për bashkëpunimin në goditjen e një grupi që merrej me falsifikimin e formularëve për marrjen e një vize amerikane.

“Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që çoi në arrestimet e sotme”, thuhet në një reagim.

Ambasada, po ashtu i bën thirrje aplikantëve për viza që të dorëzojnë aplikimet e tyre elektronike për vizë vetë dhe jo përmes “të ashtuquajturave” agjenci udhëtimi, konsulentëve të vizave ose kompanive të tjera që ofrojnë shërbime për viza.

Aplikantët për viza duhet gjithashtu të tregojnë kujdes në lidhje me mashtrimet në platformat e mediave sociale që pretendojnë se garantojnë viza amerikane.

Ambasada, thekson se “Njësia e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar u krijua pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë në vitin 2012 dhe është përgjegjëse për kryerjen e hetimeve penale në lidhje me lëshimin ose përdorimin e paligjshëm të pasaportave ose vizave; vjedhjet e identitetit dhe/ose mashtrimin me dokumente që prekin ose lidhen me programet, funksionet ose autoritetet e Departamentit të Shtetit të SHBA, si dhe krimet që lidhen me terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e qenieve njerëzore dhe lloje të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar”.

Si rezultat i një aksioni mes Policisë së Shtetit Shqiptar, Prokurorinë e Tiranës mes Njësisë së Hetimit Kriminal të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, u arrestuan 5 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Të dyshuarit, e reklamonin skemën e mashtrimit në rrjetet sociale dhe për një vizë amerikane i merrnin aplikantit 10 mijë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë