Futboll

Tirana-Vllaznia hap javën e 3-të, ‘Klasikja’ luhet sot në kryeqytet

Gazeta Si – Java e 3-të e Superiores nis sot me ‘Klasiken’ e Shqipërisë, me sfidën Tirana-Vllaznia. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, në orën 16:00.

Është përballja e parë mes dy skuadrave pretendente për titull për këtë kampionat. Tirana vjen pas një fitoreje dhe një barazimi në dy javët e para, kurse Vllaznia pas fitores me Kukësin dhe humbjes ndaj Erzenit.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Vllaznisë. Gazeta Si, 2 shtator 2022

Edhe pse është ende herët, kjo ndeshje do të tregojë deri diku se çfarë mund të bëjnë këto dy skuadra këtë sezon. Tirana është fuqizuar në mbrojtje ditën e fundit të merkatos, duke afruar Bruno Lulajn. Largimet e shumta ndikojnë, por bardheblutë janë të vendosur të mbrojnë kurorën.

Shkodranët janë çliruar psikologjikisht nga fitorja në sekondën e fundit ndaj Kukësit disa ditë më parë. Skuadra e Josës pritet të shprehet më mirë sot në fushë. Mungesa e madhe për Vllazninë është ajo e Liridon Latifit për shkak dëmtimi.

Java e 3-të vazhdon të shtunën dhe të dielën me ndeshjet Erzeni-Teuta, Kukësi-Kastrioti, Bylis-Partizani dhe Laçi-Egnatia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë