Futboll

Tirana thyen Skënderbeun në Korçë

Në një sfidë dramatike, Tirana ka mposhtur Skënderbeun në Korçë në shifrat 1-2. Bardheblutë ia kanë dalë të mposhtin korçarët në një ndeshje dramatike që u vendos vetëm në minutën e fundit.

Tirana kishte shkuar me dëshirën për të dalë me tre pikë nga transferta korçare dhe kjo gjë u duk që në minutat e para. Kryeqytetasit e zhbllokuan të parët sfidën me anë të Kobina në minutën e 26’. Pas këtij goli, Skënderbeu u mundua të reagojë dhe u hodh në sulm për të barazuar. Në minutën e fundit shtesë skuadra vendase arriti të vendoste baraspeshën 1-1 me anë të Sibo.

Me pjesën e parë që u mbyll në barazim, në 45 minutat e dyta të dyja skuadrat u hodhën në fushë me misionin e vetëm për të marrë tre pikët. Aksione nga të dyja krahët, por si sulmuesit e Skënderbeut, ashtu edhe ata të Tiranës nuk arritën të konkretizojnë rastet që patën. Kur u mendua se ndeshja po shkonte drejt një barazimi, ka ardhur goli i Ngo. Sulmuesi anglez shënoi në minutën 89’, për t’i dhënë kështu Tiranës tre pikë shumë të rëndësishme që e mbajnë larg zonës së ftohtë. Sakaq për Skënderbeun vijon seria e rezultateve negative dhe objektivi i vetëm mbetet që të qëndrojë sa më larg zonës së ftohtë të rënies nga kategoria.

Formacinet startuese të të dyja ekipeve:
SKËNDERBEU: Dajsinani, Pëllumbi, Radas, Dita, Abazai, Taipi, Muzaka, Sibo, Gripshi, Pervan, Krasniqi. Trajner: O.Shehi
TIRANA: Abibi, Kërçiku, Turtulli, Atinga, Imami, Karabeci, Marveje, Kobina, Greca, Hasani, Ngo. Trajneri: A. Mema


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë