Futboll

Tirana nuk fal në Rrogozhinë, Përgjoni dhe Hasani e kthejnë te fitorja

Gazeta Si – Tirana ka reaguar menjëherë pas humbjes me Kukësin. Kampionët në fuqi të Superiores fituan sot 1-2 ndaj Egnatias në stadiumin e Rrogozhinës, me gola të shënuar nga Përgjoni dhe Hasani me penallti.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për kryeqytetasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e parë. Përgjoni ndoqi një aksion të zhvilluar në të djathtë dhe topin e krosuar në zonë e çoi në rrjetë me një të majtë precize.

Tirana feston nje nga golat ndaj Egnatias. Gazeta Si, 6 shkurt 2023

Egnatia barazoi shpejt me sulmuesin Duamena. Ndeshja do të vendosej në pjesën e dytë, kur Tirana fitoi një penallti për një prekje të topit me dorë nga mbrojtësit rrogozhinas. Hasani nuk gaboi nga pika e bardhë dhe 1-2.

Tirana e mbylli ndeshjen me 10 vetë, pasi portieri Bakaj u dëmtua. Vendin e tij e mori Përgjoni, i cili u detyrua të vinte dorezat, sepse skuadra bardheblu i kishte bërë të gjitha ndërrimet. Tirana shkon kështu në +6 pikë nga Partizani, që sot u mund nga Laçi 1-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë