Futboll

Tirana nuk e thyen Partizanin, por rihap kampionatin

Ndeshja reklamë për futbollin shqiptar Tirana-Partizani është mbyllur në barazim pa gola. Bradheblutë e Ardian Memës sërish nuk ia kanë dalë të thyejnë “mallkimin” që vazhdon prej 5 vitesh, duke mos fituar as këtë herë në derbin e kryeqytetit. Për Partizanin kryesues kjo ndeshje i ka hequr nga dora dy pikë shumë të rëndësishme në luftën për kreun dhe tashmë rrezikon që rivalët, Teuta dhe Kukësi, mund t’i afrohen. Spektakli i filluar që në ora 17:30 në shkallët e tribunave me të dyja tifozeritë që kishin përgatitur koreografi të veçanta, nuk u vijua në fushën e lojës, aty ku të dyja skuadrat luajtën shumë taktikisht dhe me kujdesin maksimal për të mos të dalë të humbur nga kjo përballje.

Ndeshja filloi e zjarrtë që në minutat e para dhe dyluftimet ishin shumë të ashpra. Partizani mundohet të shfrytëzojë shpejtësinë e sulmuesve të krahut, Asani dhe Mensah, por Tirana ishte e mirë vendosur në prapavijë. Të motivuar edhe nga tifozët e shumtë të “Selman Stërmasit”, Tirana me kalimin e minutave e mori kontrollin e lojës, duke i shkuar disa herë pranë golit. Rasti më flagrant i ndeshjes do të ishte në minutën e 24’. Sulmuesi anglez pas një krosi në zonë të Hoxhallarit gjuan me kokë, por topi ndalet në këndin e sipërm të portës nga gardiani Alban Hoxha. Pas këtij rasti Tirana merr zemër dhe krijon të tjera raste të rrezikshme, por në të gjitha rastet nuk ia doli të kalojë barrierën e fundit të portierit Hoxha. Partizani nga ana tjetër pati disa vështirësi në nxjerrjen e topit përpara dhe mesi i fushës me Dukën, Malën dhe Telushin nuk po funksiononte siç duhej.

Në 45’ minutat e dyta, trajneri, Skënder Gega ndërhyri, duke nxjerrë nga fusha Dukën dhe aktivizoi Lum Rexhepin. Rifillimi i ndeshjes në pjesën e dytë ishte pak i avashtë dhe me ndërprerje të shumta të lojës. Dëmtimi i rëndë i Hektor Idrizajt në minutën e 57’ e detyroi Partizanin të hidhte në fushë Kalarin edhe pse ky i fundit do të luante i dëmtuar për shkak të një tërheqje muskulare. 25 minutat e fundit bëhen edhe më të zjarrta, të imponuara edhe nga atmosfera elektrizueze që vinte nga shkallët e stadiumit. Kjo atmosferë në disa raste shkoi edhe përtej një spektakli sportiv, duke e detyruara arbitrin Jorgji që ta ndërpriste lojën, deri në pastrimin e fushës nga mjetet piroteknike.

Në minutat e fundit me hedhjen në fushë edhe të Rubin Hebajt, Partizanin e rriti presionin. Rastin më të mirë e pati Telushi në minutën e 82’, por gjuajtja e tij brenda zonës u përplas në shtyllë. Për shkak të ndërprerjeve të shumta gjatë pjesës së dytë, arbitri i katërt akordoi plot 7 minuta shtesë në fund, por që edhe ato nuk mjaftuan që në këtë derbi numër tre për këtë sezon të vinte goli. Tirana me këtë pikë në derbi shkon në kuotën e 29 pikëve, me 9 pikë diferencë nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria. Sakaq për Partizanin kryesues rritet presioni, pasi të dy kundërshtarët në luftën për titullin, Kukësi dhe Teuta mund t’i afrohen nëse do të fitojë përballjet e tyre ditën e shtunë dhe të diele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë