Futboll

Tirana në provën e së vërtetës, jetike për Lerdën te Partizani

Tirana dhe Partizani duhet të shkojnë në derbin e javës së ardhshme me moral sa më të lartë. Kjo do të thotë se në ndeshjet e sotme nuk duhet të gabojnë. Tirana kryesuese luan me Kukësin në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Do të jetë një ndeshje me drita, pasi ky stadium i plotëson kushtet e ndriçimit. Është kryendeshja e javës së 5-të të Superiores, një sfidë me “spec” për momentin ku ndodhen të dyja skuadrat.

Kukësi, që është ekipi pritës, vjen nga humbja me Bylisin dhe një tjetër hap fals dhe aq më tepër ndaj një rivali direkt, do të kishte kosto të mëdha, edhe pse jemi ende në fillimin e kampionatit. Trajneri Shpëtim Duro ka disa mungesa, ku veçohet ajo e Emiljano Mustës. Në anën tjetër, Tirana, që bashkë me Teutën janë të vetmet skuadra pa humbje, jo vetëm që nuk dëshiron ta lërë kreun, por synon ta thellojë diferencën me ndjekësit. Nëse fiton edhe ndaj Kukësit, do të shkonte më e karikuar në derbin e kryeqytetit. Andi Lila ende nuk është gati për trajnerin Mema.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Tiranës në "Elbasan Arena" sezonin e fundit. Gazeta Si, 21 shtator 2019

Në një situatë aspak të qetë ndodhet Partizani. Dy humbje në katër javë, me Kukësin dhe Laçin, janë shumë për kampionët, por ç’është më e keqja, ambienti brenda ekipit është shumë i trazuar dhe trajneri italian, Franko Lerda, rrezikon shumë. Dy ndeshjet e radhës janë jetike për të. Nëse nuk fiton sot me Bylisin, aventura e tij në krye të stolit të kuq mund të mbyllet që pas kësaj ndeshjeje, kurse fitorja e mban të paktën edhe një javë në punë. Në seancën e fundit stërvitore ai ka pasur një zënkë me Trashin, por këto janë situata janë të zakonshme në kampin e Partizanit.

Sot luan edhe Skënderbeu, që pret Teutën e vendit të dytë në Korçë. Pas dy humbjesh radhazi, skuadra e trajnerit Ilir Daja duhet të reagojë përpara tifozëve të saj. Dy ndeshjet e tjera të javës së 5-të, Flamurtari-Laçi dhe Vllaznia-Luftëtari, zhvillohen nesër. Vlonjatët janë në kërkim të pikës së parë, ndërsa shkodranët duhet të gjejnë golat për të shkuar te fitorja në stadiumin “Loro Boriçi”.

Renditja e Superiores pas javës së 4-t të Superiores. Gazeta Si, 21 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë