Futboll

Tirana mendon për të ardhmen, afron te moshat Ahmatajn dhe Devollin

Tirana e këtij sezoni të ri pritet të jetë ndryshe nga ajo që pamë vitin e fundit. Shumë shpenzime dhe një projekt i ri me në krye Ardian Memën kanë bërë që bradheblutë të kuotohen në mesin e ekipeve pretendente për kreun.

Se sa do ia arrijë këtij qëllimi kampionati do e tregojë, pasi merkato e mirë është vetëm gjysma e punës. Por në këtë linjë të nisjes së një projekti të ri, Tirana ka bërë një hap të rëndësishëm edhe në sektorin e të rinjve. Klubi bardheblu ka bërë me dije se ka afruar si trajnerë të moshave, U-17 dhe U-19, Julian Ahmatajn dhe Bledar Devollin.

Të dy trajnerët kishin ekipe në Superligë vitin e fundit, njëri Luftëtarin dhe tjetri Kastriotin dhe pritet të jenë një vlerë e shtuar për sektorin e të rinjve të Tiranës.

Julian Ahmataj - Gazeta Si, 8 gusht 2019

“Julian Ahmataj është zyrtarisht pjesë e KF Tiranës në rolin e Scoutit dhe atë të trajnerit të ekipit U-17. Klubi ka zgjedhur të investoje këtë sezon jo vetëm në përforcimin e skuadrës me emra të rëndësishëm, por dhe në strukturë me afrimin e dy trajnerëve të afirmuar që më parë kanë qenë dhe pjesë e Tiranës.

Bledar Devolli do të marrë drejtimin e Tiranës U19, Ahmataj drejtimin e Tiranës U17. Akademia këtë vit do të jetë një nga prioritetet e klubit ku do të investohet shumë në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Hedhim poshtë kështu, të gjithë spekulimet në lidhje me zhvillimet e fundit në klubin bardheblu”, shkruhej në njoftimin e klubit kryeqytetas.

Bledar Devolli - Gazeta Si, 8 gusht 2019

Ky zhvillim te Tirana flet për një erë te re të 26 herë kampionët e vendit, të cilët duan të besojnë te talentet vendas. Eshtë një hap pozitiv dhe për tu vlerësuar edhe pse një talent si Ernest Muçi që Tirana e ka gati që prej dy sezonesh, deri më tani nuk ka ditur ta shfrytëzojë siç duhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë