Futboll

Tirana me një këmbë në gjysmëfinale, anglezi Ngo bën liderin

Tirana ka arritur rezultatin më bindës në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ardian Mema ka mundur 3-0 Laçin në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe tashmë mund të konsiderohet me një këmbë në gjysmëfinale, edhe pse është për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit.

Sulmuesi anglez, Majkëll Ngo, është lideri i kësaj Tirane. Ai ka shënuar dy gola në këtë fitore, duke e marrë skuadrën kryeqytetase “për dore”. Jo vetëm me golat, por edhe me lojën e tij, Ngo është një pikë referimi për Tiranën, që me futjen e tij në formacion muajt e fundit, po rritet gjithmonë e më shumë. Kupa është një mundësi shumë e mirë që bardheblutë të fitojnë një trofe këtë sezon dhe njëkohësisht të sigurojnë pjesëmarrjen në Kupat e Euopës, pasi nga kampionati është shumë e vështirë. Goli i tretë i Tiranës mban firmën e shkodranit Edon Hasani.

Majkëll Ngo, sulmuesi anglez i Tiranës

Ka zhgënjyer totalisht në këtë ndeshje Laçi, që është një skuadër që nuk mundet lehtë. Përmbysja e rezultatit 3-0 duket një mision i pamundur për kurbinasit, të cilët tani duhet të shpresojnë vetëm nëpërmjet kampionatit të shkojnë në Europë. Në dy ndeshjet e tjera çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Partizani u mund 1-2 nga Luftëtari, ndërsa Teuta dhe Kukësi barazuan 2-2 në Durrës. Skënderbeu kalon direkt në gjysmëfinale, pasi Kamza u përjashtua nga aktivitetet. Ndeshjet e kthimit në Kupë luhen pas dy javësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë