Futboll

Tirana kryesuese ‘pengohet’ në Kukës, Bylisi mund Kastriotin mes tensionit

Gazeta Si – Vrulli i Tiranës kryesuese është ndalur sot në stadiumin e Kukësit, në ndeshjen e javës së 19-të të Superiores. Vendësit kanë fituar 2-0 ndaj ekipit që kryeson renditjen me 34 pikë, duke i dhënë një asist Partizanit dhe Vllaznisë.

Me golat e Jonson në pjesën e parë dhe Bytyçit në të dytën, Kukësi i drejtuar nga trajneri Rrahman Hallaçi ka marrë një trepikësh të çmuar, që e largon disi nga fundi i tabelës. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për kuksianët, pas asaj me Egnatian në Rrogozhinë disa ditë më parë.

Nga ndeshja Kukesi-Tirana, 2-0. Gazeta Si, 29 janar 2023

Ndeshja tjetër e luajtur sot ishte ajo mes Bylisit dhe Kastriotit. Kanë fituar ballshiotët 1-0 mes tensionit, duke e lënë skuadrën krutane në vend të fundit. Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi, është ndëshkuar me karton të kuq pas shkak të protestave ndaj arbitrit.

Japonezi Doi, një nga afrimet e merkatos së janarit te Bylisi, shënoi golin e fitores çerek ore para fundit të ndeshjes.

Partizani luan nesër me Egnatian dhe mundësinë t’i afrohet Tiranës në një pikë diferencë. Edhe Vallaznia mund të përfitojë këtë javë, nëse fiton nesër me Erzenin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë