Futboll

Tirana humbet pjesët, largohen dy kolona të rëndësishme të skuadrës

Gazeta Si – Pak a shumë ishte e pritshme. Nga Tirana do të kishte largime lojtarësh titullarë për në kampionate të huaja. Para Kupave të Europës u larguan Erjon Hoxhallari që kaloi në Rumani dhe Ardit Toli.

Tani, pas kapitullimit të kampionëve në Europë, vijnë të tjera largime të rëndësishme. Mesfushori Enur Totre ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën në Ukrainë, te Vorskla Poltava. Po kjo skuadër interesohet edhe për Tolin.

Taulant Seferi. Gazeta Si, 3 gusht 2022

Largimi më i rëndësishëm te Tirana është ai i sulmuesit Taulant Seferi, edhe pse nuk është zyrtarizuar ende. Golashënuesi më i mirë i kryeqytetasve dhe Superiores synon të luajë në një kampionat më të fortë dhe shumë shpejt do të bëjë të ditur emrin e skuadrës së re.

Për skuadrën e Shehit janë humbje të mëdha, janë lojtarë me shumë peshë që vështirë se zëvendësohen lehtë. Tirana bëri merkato para ndeshjeve europiane, ku rezultatet treguan se nuk ka goditur në shenjë.

Ka ende kohë për të gjetur ndonjë elment cilësor, por duket shumë e vështirë që Tirana të gjejë lojtarë të nivelit të Totres dhe Seferit. Mbrojtja e titullit kampion sezonin e ri do të jetë ndoshta më e vështirë nga sa ishte menduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë