Futboll

Tirana godet Kukësin, Flamurtari me halle

Tirana mund të mos jetë në formën e saj më të mirë, por sërish ekipi bardheblu është për t’u pasur frikë. Në ndeshjen kryesore të kësaj javë në Superligë, ekipi kryeqytetas ka mposhtur minimalisht 0-1 Kukësin. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të kësaj jave të Superiores mes Luftëtarit dhe Flamurtarit, gjithçka është mbyllur në barazim pa gola.

Edhe pse po lufton për mbijetesë, Tirana e ka mbrojtur më së miri emrin e madh të saj, duke mposhtur Kukësin dhe e largon atë nga lufta për titullin kampion. Ndesha e luajtur në stadiumin e Kamzës, u dominua nga ekipi kuksian, por në fund pa fitues bardheblutë. Shkurtaj dhe Rexhinaldo patën disa raste për të shënuar për Kukësin, por nuk ishin të saktë dhe me fat në tentativat e tyre. Nga ana tjetër, Tirana ka treguar një ritëm konstatant gjatë gjithë ndeshjes, duke u mbrojtur mirë dhe në rastin e parë të pastër para portës, shënoi. Me këtë fitore, Tirana i largohet me 8 pikë zonës së ftohtë dhe shikon me afër zonën e Europës. Ndërsa Kukësi tashmë shikon t’i bëhet malore lufta për titullin kampion, pasi Partizani është +8 pikë.

Në ndeshjen e luajtur në Gjirokastër zbritën në fushë dy ekipe me halle të përbashkëta sa i përket çështjes financiare. Një lojë mbi mesatare dhe me grinte, por që nuk ka parë fitues asnjërën. Luftëtari këmbënguli për tre pikët në shtëpi, por edhe Flamurtari nga ana tjetër pati shanset e tij para portës. Vlonjatët pretenduan disa herë edhe për penallti, por deri në fund u desh të kënaqeshin me një pikë nga kjo transfertë e vështirë. Tashmë Flamurtari është në kuotën e 30 pikëve dhe vijon të mbetet në garë për një vend në Kupat e Europës. Ndërkohë Luftëtari edhe këtë javë mund të marrë frymë, pasi është jashtë zonës së ftohtë edhe pse përpara e presin muaj të vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë