Futboll

Tirana gati për të dytën, prova e vërtetë e forcës me Teutën

Tirana e javës së parë të kampionatit ishte një ekip që i kënaqi të gjithë. Tifozët e shumtë bardheblu, presidentin Halili që shpenzoi pa fund këtë merkato, trajnerin Ardian Mema dhe sigurisht të gjithë dashamirësit e futbollit shqiptar, pasi të shohësh Tiranën në nivelet më të larta është gjithmonë kënaqësi.

3-0 me Luftëtari ishte një fitore e bujshme, por nuk ka shumë kohë për festë, pasi në derë është ndeshja e dytë e kampionatit. Këtë herë në “Selman Stërmasi” bardheblutë i pret një sfidë shumë herë më e vështirë se ajo me gjirokastritët të shtunën. Në Tiranë vjen Teuta e Bledi Shkëmbit, i cili këtë vit ka krijuar një grup kompakt, duke eliminuar shpenzimet e mëdha dhe është fokusuar të talentet durrsakë, të ndërlidhur me disa futbollistë me eksperiencë në Superligë.

Lojtaret e Teutes duke festuar pas fitores se pare me Bylisin - Gazeta Si, 27 gusht 2019

Ndeshja e sotme e orës 19:00 përveçse e para për javën e dytë të Superiores, parashihet edhe si kryesorja, pasi si Tirana ashtu edhe Teuta me lëvizjet në merkato kuotohen në mesin e ekipeve që do të duelojnë për vendet e para të renditjes. Për të dyja skuadrat pritet të ketë ndryshime në formacionin titullar nga ndeshja e parë.

Në daljen e tij për mediet, numri një i stolit bardheblu, Ardian Mema tha se përballja me Teutën vjen në momentin e duhur për të matur forcat me një kundërshtar që ka të njëjtat objektiva. Por edhe Bledi Shkëmbi nuk mbetet pas me deklaratat, teksa u shpreh i bindur se ekipi i tij është gati për të marrë fitoren e dytë në kampionat, pas asaj me Bylisin në shtëpi.

Lojtaret e Tiranes duke festuar pas nje goli te shenuar ne ndeshjen e pare me Luftetarin - Gazeta Si, 27 gusht 2019

Ndeshja Tirana – Teuta, pas rezultatit pozitiv që bardheblutë morën javën e parë, pritet që të ndiqet nga një numër i madh tifozësh kryeqytetas, që këtë vit janë ndarë edhe në dy tifo grupe. Pas “Tirona Fanatics”, grupi më i vjetër i tifozëve të Tiranës, këtë sezon është krijuar edhe “Capital Crew”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë