Futboll

Tirana fiton mes ‘shiut’ të shisheve, ‘klasikja’ bëhet për turp

Ajo që do duhej të ishte reklama e futbollit shqiptar, është kthyer në turpin e tij. Ndeshja Vllaznia – Tirana e vlefshme për javën e dytë të Superligës është ndërprerë për disa minuta dhe protagonistë janë bërë tifozët nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Shishe dhe sende të tjera plastike përfunduan në kokat e lojtarëve dhe për disa çaste arbitri Enea Jorgji e ndërpreu ndeshjen.

Stadiumi "Loro Borici" para se te fillonte ndeshja Vllaznia - Tirana, Gazeta Si, 31 gusht 2019

Përballja që i kishte munguar futbollit shqiptar, deri në minutën e 32’ ishte një kënaqësi për sytë. Stadiumi i mbushur si rrallëkund tjetër në Shqipëri dhe dy skuadra që po luanin futboll të bukur. Aksione nga të dyja krahët dhe ritëm i kënaqshëm në qarkullimin e topit, por gjithë kjo panoramë e bukur do të prishej nga “zakoni” i vjetër i shqiptarit, hakmarrja. Një përplasje konsistente mes dy tifozerive, asaj shkodrane dhe miqve nga Tirana, i nxori telat edhe këtë mbrëmje, kur që në minutën e 32’ filluan sharjet dhe ofendimet masive, madje edhe koret denigruese kundër njëra tjetrës.

Momenti i nderprerjes se ndeshjes, Vllaznia Tirana ne stadiumin Loro Borici - Gazeta Si, 31 gusht 2019

Deri në këtë momente mund të thuhet se çdo gjë ishte e deri diku pranueshme dhe loja vazhdoi normalisht, me Tiranën që po fillonte të tregohej disi superiore. Me rifillimin e pjesës së dytë, nuk mund të flasim më për futboll. U shënuan dy gola, por imazhi më i fortë që lanë këto minuta në “Loro Boriçi”, ishin shishet që fluturonin mbi kokat e futbollistëve. Dy golat e shpejtë të Tiranës brenda 3 minutash, u duk sikur ishin benzina që iu hodh zjarrit që kishte nisur që në fundin e pjesës së parë.

Lojtaret e Vllaznise i kerkojne tifozeve te qetesohen - Gazeta Si, 31 gusht 2019

Atmosfera në shkallët e stadiumit u bë edhe më agresive, teksa deri në minutën e 84’, arbitri Jorgji nuk duroi më, por e ndërpreu ndeshjen. Tifozi i futur në fushë, nuk u mor vesh se çfarë kërkoi, por ia doli që kësaj ndeshje t’i vendoste përfundimisht vulën e turpit. Lojtarët nën panik e sipër vetëm për futbollin po mendonin në ato momente, por gjithsesi kryesori Enea Jorgji vendosi që t’i shkonte deri në fund dhe ta linte ndeshjen të luhej deri në fund, vetëm se futboll nuk mund të quhet.

Pasi i kishte munguar gati 2 vite futbollit shqiptar përballja e konsideruar “klasike” kthehet kështu, në mënyrën më skandaloze të mundshme. Dhuna nga shkallët e stadiumit kësaj radhe vetëm sa dëmtoi garën, por herën tjetër mund të bëhet edhe më dramatike, prandaj masat për ta ndalur duhet të merren tani!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë