Futboll

Tirana feston bashkë me holandezët, Partizani siguron Europën

Gazeta Si - Siç ndodh rëndom në javën e fundit të kampionatit, ndeshjet kanë prodhuar gola për të tërë… Tirana ka humbur me Kukësin, por pak rëndësi ka. Sot feston zyrtarisht titullin, ndërsa Partizani ka siguruar Europën me vendin e 3-të.

Në “Selman Stërmasi” ka fituar Kukësi 2-3, por ende veriorët nuk janë në Europë. Vendos finalja e Kupës e Shqipërisë. Nëse fiton Laçi, shkon Kukësi në Europë. Nëse fiton Vllaznia, atëherë shkojnë shkodranët, të cilët sot fituan 1-3 me Kastriotin dhe e mbyllën kampionatin në vend të 5-të.

Te Tirana nuk e kishin shumë mendjen te rezultati, por te ndonjë gol i Seferit. Sulmuesi realizoi vetëm një herë, ashtu si rivali Guindo në humbjen 3-4 të Laçit. Të dy e mbyllin me nga 19 gola, por “Këpucën e Artë” e fiton afrikani, pasi ka ndeshje më pak.

Tifozët e Fejnordit në "Selman Stërmasi". Gazeta Si, 26 maj 2022

Interesant është fakti se në “Selman Stërmasi” ishin edhe disa tifozë të Fejnordit. Ata kishin preferuar të qëndronin në Tiranë edhe pas finales dhe vendosën të merrnin pjesë në festën e titullit të Tiranës.

Një tjetër moment interesant në këtë ndeshje ishte kur një nga prozhektorët nisi të nxirrte tym. Ndeshja ia ka lënë vendin festës së madhe të titullit, me shumë këngëtarë të ftuar nga klubi kryeqytetas.

Verdiktet e kampionatit janë këto: Tirana kampione, Laçi nënkampion dhe Partizani në Europë si vend i 3-të. Vendin e 4-t të Kupave të Europës e përcakton tashmë finalja e Kupës. Dinamo dhe Skënderbeu bien në Kategorinë e Parë.

Vllaznia duhet të fitojë patjetër finale për të shpëtuar sezonin. Në anën tjetër, Kukësi duhet të bëjë tifoz për Laçin, sepse nuk e ka fatin në dorën e tij. Mes Kukësit dhe Vllaznisë, një feston dhe një digjet.

Renditja përfundimtare e Superiores 2021-2022. Gazeta Si, 26 maj 2022

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë