Futboll

Tirana e fiksuar për titullin, edhe Kristal Abazaj bardheblu

Kristal Abazaj do të vishet bardheblu sezonin e ri. Futbollisti i grumbulluar më parë edhe me Kombëtaren është pranë akordit me klubin kryeqytetas, ku do të kalojë në formë huazimi nga Anderlehti, ekipi belg që disponon kartonin e rij. Tirana ka qenë më aktive se kurrë në merkaton e kësaj vere, duke afruar thuajse një skuadër të tërë, pavarësisht problematikës me borxhet dhe “kërcënimit” të FSHF-së. Titulli kampion është tashmë një fiksim në kampin tiranas, ku po bëhet gjithçka për të ndërtuar ekipin fitues.

Kristal Abazaj me fanellën e Anderlehtit. Gazeta Si, 12 gusht 2019

Sulmuesi Kristal Abazaj bëri bujë me kalimin tek Anderlehti verën e kaluar, ku u shit nga Skënderbeu, pa luajtur asnjë ndeshje me fanellën e klubit korçar, që e kishte blerë nga Luftëtari. Megjithatë, gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve për sulmuesin anësor, i cili nuk arriti ta bindte trajnerin e ekipit të madh belg për të luajtur titullar, madje shpesh ishte edhe jashtë 18-shes. Në këtë situatë ndikoi edhe një dëmtim i këtij futbollisti, që në merkaton e dimrit u huazua tek Osijeku në Kroaci. E nisi mirë me këtë ekip, duke shënuar që në debutim, por nuk vazhdoi kështu. Kohët e fundit Abazaj është stërvitur individualisht në Tiranë. Anderlehti nuk e ka në planet e veta dhe zgjidhja më e mirë edhe në këtë rast është huazimi te një skuadër, ku mund të luajë rregullisht. Tirana është gati ta “rrëmbejë” Abazajn dhe pritet që marrëveshja të marrë formë zyrtare shumë shpejt.

Abazaj me fanellën e Shqipërisë U-21 në një ndeshje ndaj Francës. Gazeta Si, 12 gusht 2019

Klubi kryeqytetas ka afruar më parë një tjetër ish-lojtar të Kombëtares, Kristi Vangjelin, i aktivizuar me Skënderbeun sezonet e fundit. Po ashtu, janë afruar te bardheblutë Tefik Osmani, Elton Kale, Agustin Torasa, Ismail Dunga dhe Idriz Batha. Të gjithë këta lojtarë i kanë sjellë grupit të Tiranës shumë përvojë dhe kualitet. Gjithashtu, një tjetër objektiv i bardhebluve është Andi Lila, ish-mbrojtësi i Kombëtares që ka mbyllur aventurën në Greqi dhe mund të rikthehet te skuadra, ku ka fituar titullin kampion. Me sa duket, sezonin e ri do të kemi një derbi edhe më të ndezur, pasi Tirana dhe Partizani parashikohet të jenë pretendentë për titullin kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë