TikTok ka një problem global: Aplikacioni për ndarjen e videove me miqtë është shumë popullor te fëmijët.
Shumica e kompanive të rrjeteve sociale po bëjnë të pamundurën për vëmendjen e përdoruesve të rinj, një grupmoshë kjo e apasionuar pas teknologjisë e që udhëheq në atë çfarë është e kohës për t’u përdorur. Sidoqoftë, tërheqja nga kaq shumë të rinj paraqet një gjendje të vështirë për TikTok sepse shumë prej përkrahësve të tij janë nën moshën 13-vjeçare.
TikTok i cili kontrollohet nga konglomerati kinez ByteDance po punon që të bëhet më tërheqës për moshat më të mëdha. E kjo sepse, sipas kompanisë, është kritike për rritjen e mbijetesën e saj. Ajo gjithashtu është përpjekur që të heqë fëmijët e vegjël nga aplikacioni e të heqë videot e fëmijëve nën moshën 13 vjeç sipas një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar me komisionin federal të tregtisë (FTC).
Por përsëri fëmijët i kanë qëndruar besnikë aplikacionit. Rreth 70% e vajzave 10-vjeçare në SHBA përdorin aplikacionin TikTok sipas të dhënave nga Jiminy, një aplikacion për prindërit që gjurmon sjelljen e fëmijëve.
Popullariteti i aplikacionit midis fëmijëve më të vegjël është një shembull ekstrem i një dileme të zakonshme në industrinë e teknologjisë: Kompanitë luftojnë që të verifikojnë moshat e fëmijëve të vegjël pa kërkuar detaje personale. Ndërkohë, fëmijët lehtësisht i anashkalojnë kufizimet e krijuara për t’i mbajtur ata jashtë aplikacionit e madje disa herë me ndihmën e prindërve.
Mia Ellis e la vajzën e saj 12-vjeçare, Josie, që për ditëlindje të hyjë e ta përdorë TikTok-un. Josie kishte dëgjuar për aplikacionin nga miqtë e e saj të shkollës dhe të kursit të kërcimit të cilët gjatë intervaleve të pushimeve realizonin koreografi të shkurtra me video regjistrim në TikTok. Kështu Josie donte të ishtë pjesë e kësaj lëvizjeje të grupmoshës së saj. “Kjo ishte një nga ato kërkesat si “Çdokush tjetër e ka këtë gjë”, shprehet mamaja me banim në Ankeny të Ioëa-s për vajzën e saj.
Paraardhësi i TikTok, aplikacioni Musical.ly, ishte popullor mes fëmijëve e në kohët e ekzistencës së tij kishte video pafund të hedhura nga vetë fëmijët e vegjël në të cilat ata dilnin duke imituar apo kënduar këngë të kohës. ByteDance pagoi 1 miliardë dollarë për Musical.ly në 2017-n dhe e ndryshoi emrin vitin pasaardhës e ky ndryshim emri - sipas një zëdhënësi të TikTok - u bë për të ribërë emrin e mirë (rebrand) të kompanisë e për të diversifikuar bazën popullore dhe përmbajtjen e aplikacionit.
Në një takim në Los Angeles të 2018, shefi ekzekutiv i Tik Tok, Alex Zhu, u tha punonjësve se popullariteti i aplikacionit mes fëmijëve mund ta bëjë këtë aplikacion thjesht një trend të përkohshëm nëse nuk tërheq mosha më të rritura. Ai u tha atyre që t’i heqin fëmijët nga aplikacioni si dhe ta modifikojnë në mënyrë që të tërheqin një audiencë më të gjerë.
"Ky është shansi ynë i fundit," tha Z. Zhu, sipas njerëzve që ishin të pranishëm në takim. "Nëse ne dështojmë, kaq ishte gjithçka."
Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ekipi i përmbajtjes së TikTok filloi të kontrollonte videot. Aplikacioni inkurajoi përdoruesit të hidhnin video për mosha pakëz më të vogla dhe të mospranojë ato video që ishin bërë nga shumë të vegjël. Drejtuesit ekzekutivë i ndaluan reklamat me animacione të cilat janë më tërheqëse për fëmijët si dhe e zhvilloi inteligjencën artificiale në atë pikë ku mund të njihte moshat e përduresve përmes fytyrave të tyre.
TikTok gjithashtu nisi t’iu kërkojë njerëzve moshën e tyre kur ata logohen në aplikacion. Përdoruesit duhet të jenë të paktën 13 vjeç kur nisin të përdorin aplikacionin e nëse ata janë më të vegjël se kaq shumë opsione i kanë të limituara si psh mesazhet e postimi i videove.
“Eksperienca e plotë e TikTok është menduar për përdoruesit e moshës 13 vjeç e lart”, tha një zëdhënës i TikTok. “Nëse ne njoftohemi për një llogari nga një përdorues nën moshën 13-vjeçare ne e fshijmë informacionin brenda llogarisë dhe e mbyllim llogarinë”.
Kësi lloj përpjekjesh treguan rezultate. Në fillim të viteve 2019, kuotimet me thurje (hashtags) #over30 #over40 and #MomsOfTikTok nisën të kenë popullaritet së bashku me video ku prindërit apo çiftet bënin sfida të ndryshme si dhe tregonin aspekte nga jeta e tyre adulte. Këta përdorues të rinj e nxorën në pah aplikacionin TikTok si një rrjet social me goxha influencë.
Vendimi i FTC (Komisionit federal të tregtisë), i cili erdhi në fillim të 2019-ës, “e goditi” kompaninë me një gjobë afro 6 milionë dollarëshe e kjo si rrjedhojë e kompanisë paraardhëse Melody.inc që kishte mbledhur informacione mbi përdoruesit fëmijë pa aprovimin e prindërve. FTC u dha zgjidhje gjithashtu ankesave të prindërve mbi merakun e përdorimit të aplikacionit nga fëmijët duke i lejuar prindërit që të kenë më shumë akses në llogarinë e fëmijve të tyre si dhe të shohin bashkëbiseduesit që janë afër pozicionit gjeografik të fëmijës.
Kjo ishte zgjidhja më e madhe e vendosur ndonjëherë në atë kohë për shkelje që lidhen me privatësinë e fëmijëve. Rregullat federale ndalojnë mbledhjen e të dhënave nga fëmijët nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.
TikTok vazhdon të ketë përdorues nën 13 vjeç dhe ata shpesh janë përdorues të zjarrtë. Në SHBA, vajzat 10-vjeçare që përdorin TikTok kalojnë mesatarisht më shumë se katër orë në javë duke përdorur aplikacion, sipas Jiminy. Kjo është kohë e mjaftueshme për të parë më shumë se 1000 video.
Ndër shqetësimet e tjera ishte dhe fakti që në TikTok shfaqen video të shkurtra nga përdorues të ndryshëm, pra njerëz që përdoruesit nuk i kanë njohur më parë, e kjo sipas një algoritmi e në varësi të opsioneve të përdoruesit. Nëse të dy përdoruesit e ndjekin njëri-tjetrin ata mund t’i çojnë mësazhe njëri-tjetrit, gjë që i bën fëmijët e vegjël më vulnerabël ndaj kontakteve të papërshtatshme me të rritur që ata nuk i njohin.
Rreth 28% e përdoruesve të aplikacionit ishin nën 18 vjeç, në fillim të vitit të kaluar, sipas dokumenteve të brendshme të para nga Ëall Street Journal. Gjatë 2019-ës, më shumë se 40 milionë njerëz në ShBA e kanë shkarkuar TikTok-un sipas të dhënave dhe analizave nga firma Annie.
Amy Haggarty, e cila jeton në zonën e Çikagos, tha që ajo ndihmoi djalin e saj 9-vjeçar Caleb të krijonte një llogari pranverën e kaluar, me një ditëlindje të rreme. “Ky është rregulli në shtëpinë tonë. Ata nuk mund të krijojnë një llogari e të gënjejnë për moshën pa qenë unë e pranishme apo bashkëpunëtore”, u shpreh ajo.
TikTok tani është duke u përpjekur të inkurajojë video me përmbajtje të familjes së fëmijëve e kjo që t’i përfshijë prindërit e t’i bëjë ata më të ndërgjegjshëm mbi mënyrën e përdorimit të aplikacionit nga fëmijët. Në dhjetor kompania promovoi kuotimin me thurje #meetmyfam. Kompania gjithashtu po finalizon iniciativat për mbrojtjen e adoleshentëve.
“Verifikimi i moshës së një fëmije në internet është i vështirë të bëhet pa mbledhur të dhëna për përdoruesin ose pa kërkuar më shumë informacione, të cilat mund të vijnë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Intimitetit të Fëmijëve në Internet”, tha Stephen Balkam, themeluesi i Institutit të Sigurisë Online të Familjes, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Uashington.
TikTok ka ndërtuar një mjet të inteligjencës artificiale, në programin e saj, që skanon fytyrat në video për të vlerësuar moshat e përdoruesve. Ish-punonjës të kompanisë shprehen se nëse personi shfaqet shumë i ri, TikTok e ul popullaritetin e videos në algoritëm në mënyrë që përdoruesit e tjerë të mos shohin përmbajtjen e videos.
Por kjo nuk është ende një shkencë perfekte. Pajisja e TikTok në mënyrë të vazhdueshme e konsideronte një punonjëse të ByteDance si më të vogël se 13 vjeçe dhe i fshihte videot e saj në aplikacion gjersa ajo u bëri kërkesë kolegëve të punës që t’i vlerësonin videot e saj si të përshtatshme.
Janelle Stevenson mbështetet në kërkesën për moshë minimale nga TikTok dhe aplikacionet e tjera për mos ta lejuar vajzën e saj të hyjë në këto lloj aplikacionesh. “Sapo ajo të mbushë 13 vjeç, do të ketë mundësinë për t’u futur tek këto aplikacione”, shprehet znj. Stevenson që jeton Fairfield të Connecticut.
Shqetësimet e znj.Stevenson nuk kanë të bëjnë me privatësinë e të dhënave por për faktin se një manjak i madh në moshë mund ta kontaktojë vajzën e saj përmes opsionit të mesazheve.
Znj. Stevenson e pa aplikacionin me vajzën e saj dhe konkludoi se 99% e gjërave aty ishin të padëmshme. “Por përsëri është ai 1% që unë nuk e di”, shprehet znj. Stevenson./ WSJ
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.