Gazeta Si – Vala e tifozëve të Milanit që shoqëruan skuadrën në Verona, rreth 16 mijë, në “San Siro” do të jetë shumë më e madhe. Ndaj Atalantës do të jetë një det i tërë kuqezi. Ato 75 mijë vende që ka stadiumi, tifozët i kanë zënë tashmë.
Dhe të mendosh që kërkesat që ka marrë klubi dhe shoqatat e tifozëve janë sa për të mbushur tre stadiume. Euforia në kampin kuqezi është në nivelet më të larta, titulli është vetëm një hap larg. Këtë fundjavë mund të nisë festa e madhe, tifozët janë gati.
Milani mund të zyrtarizohet kampion, nëse mund Atalantën e Gjimshitit dhe Interi del pa fitore nga Kaljari. Një kombinim që te Milani nuk duan ta mendojnë shumë. Për tifozët mjafton të jenë në stadium.

Biletat kanë qenë në shitje që në muajin prill. Në atë kohë, të mendoje një ‘kokë më kokë’ mes dy ekipeve të Milanos për titullin kampion dukej një shaka. Më pas radha për bileta u bë shumë e madhe.
Ata më besnikët, abonentët e vjetër të Milanit, kanë pasur mundësinë të sigurojnë një biletë edhe falë një liste çmimesh të dedikuar. Shitja e lirë pastaj ka shpërblyer tifozët më optimistë. Prej ditësh në “San Siro” shfaqet tabela “sold out”.
Faqja e shoqatës ‘Milan Club’ ka në plan të parë njoftimin: biletat për ndeshjen me Atalantën janë ezauruar. E shkruar me të madhe dhe e shoqëruar me disa pikëçuditëse. Por tifozët nuk binden për këtë fakt. Ata vazhdojnë të telefonojnë.
Për këtë arsye, në faqe ka edhe një apel: “Ju lutemi të mos telefononi! Telefonatat vetëm sa vështirësojnë administrimin e ndeshjes, sepse ka pasur kërkesa aluçinante”. Edhe edhe ky apel nuk është marrë shumë parasysh nga tifozët. Çentrali vazhdon të mbytet nga telefonatat.
Që t’i kënaqësh të gjithë tifozët e Milanit në këtë moment, do të thotë të pranosh më shumë se 200 mijë kërkesa. Mundësia më e madhe është që ata që nuk do të mund të futen në stadium, të mblidhen në sheshin jashtë. Një mënyrë kjo për të përballuar tensionin e sfidës së madhe dhe për të qenë gjithsesi pranë skuadrës.
Në anën tjetër, ‘Investcorp” vazhdon të shtojë presionin për blerjen e Milanit. Madje, duket se durimi për ecurinë e tratativave po soset dhe pronarët aktualë të klubit duhet të nxitojnë. Ndërsa titozët mund të ëndërrojnë gjëra të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.