Art dhe Kulture

TIFF/ Agron Domi: Dominojnë filmat shqiptarë, Ministria mbështetje minimale

Prej 4 ditësh ka hapur dyert në kryeqytet, Tirana International Film Festival (TIFF) një event i rëndësishëm kinematografik, që zhvillohet në Shqipëri, jo vetëm për traditën (që në vitin 2003) dhe eksperiencën, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, aftësinë selektive të filmave, programit të pasur dhe zbulimeve interesante.

Prej vitit 2018, tashmë filmit fitues me metrazh të shkurtër i jepet shansi të garojë automatikisht në Oscar.

Themeluesi dhe njëkohësisht drejtori artistik i festivalit, Agron Domi pohon për Gazetasi.al se edicioni i 19-të është pritur me entuziazëm, por këtë vit festivali vjen në një version hibrid.

Në festivalin e filmit, 118 vende nga e gjithë bota po konkurrojnë përpara një jurie profesionale që është prezente në Tiranë. Përveç filmave “premierë” që janë në kompeticion për çmime dhe që po shfaqen në ambientet e brendshme të Kinema Millennium, do të shfaqen edhe filma në ambientet e jashtme si edhe online.

“Për arsye të pandemisë ky edicion i 19-të është quajtur hibrid, meqë po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e shfaqjes së filmave në kinema, Open Air si dhe online. Atmosfera ka qenë e shkëlqyer dhe TIFF është mirëpritur me entuziazëm”, thotë drejtori artistik, Agron Domi për Gazetasi.al.

Domi vë në pah se numri i madh i aplikimeve dhe pjesëmarrjes vjen edhe për faktin se TIFF është ‘Oscar Qualifying’.

“Ky edicion shënoi një numër rekord aplikimesh prej 2950 filma nga 118 vende të botës edhe për faktin se TIFF është Oscar qualifying, një mundësi e madhe për ta të nominohen për Academy Awards. Nga 40 vende të Europës 1706 filma, nga 11 vende të Amerikës së Veriut 558 filma, nga 8 vende të Amerikës së Jugut 66 filma, nga 38 vende të Azisë 530 filma, nga 17 vende të Afrikës 34 filma dhe nga 4 vende të Australisë dhe Oqeanisë 56 filma. Nga 2950 filma 705 janë studentë dhe 930 debutantë, të rinj që sapo kanë hyrë në botën e industrisë së filmit e shikojnë Tiranën si destinacion të karrierës së tyre të suksesshme”, vijon ai.   

Themeluesi i TIFF, Agron Domi

Por shqetësuese për drejtorin e TIFF vijon të mbetet mbështetja minimale që ka Ministria e Kulturës për evente të tilla në jetën artistike.

“Mbështetja nga Ministria e Kulturës ka qenë minimale duke pasur në konsideratë vlerat dhe kualitetin e TIFF, vazhdimësinë prej 19 vitesh si aktiviteti ndërkombëtar më i vjetër e i qëndrueshëm në Shqipëri. Gjithashtu, TIFF është vlerësuar nga AMPAS – Academy of Motion Picture Arts and Sciences, USA si një ndër 94 festivalet më të rëndësishme në botë ‘Oscar qualifying’, por ky fakt nuk i ka bërë institucionet ta vlerësojnë dhe mbështesin ashtu siç e meriton”.

Sipas organizatorit të këtij festivali, TIFF gjen mbështetje edhe nga fondet europiane.

“Kemi pasur mbështetje nga fondet europiane për distribuimin e filmave europianë për fëmijë e të rritur”.

Detaj interesant që drejtori artistik veçon për këtë vit, është dominanca e filmave shqiptarë.

“Këtë vit është një garë e fortë në kompeticionin ‘In Albanian’, me shumë prodhime dhe kualitet ku ndryshe nga edicionet e kaluara me një prezencë më të lartë nga Kosova, dominojnë filmat e shkurtër të prodhuar në Shqipëri”.

Festivali vijon me të njëjtin slogan që ka pasur që në krye të herës: “Mendojmë Ndryshe, Shohim Njësoj”.

Edicioni i 19-të i “Tirana International Film Festival” u hap me filmin “Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli, fitues i tri çmimeve kryesore në “Sundance Film Festival 2021”, festivalin më të rëndësishëm në SHBA.

TIFF këtë vit ka 4 juri ndërkombëtare, që do të vendosin për çmimet me prezencën e personaliteteve fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, si: Mohamed Siam (Francë) dhe Basil Khalil (Palestinë), producente dhe regjisore, si dhe të dy anëtarëve të “Academy of Motion Picture Arts and Sciences” SHBA, të cilët kanë të drejtën të vendosin për çmimet Oscar, Bogdan Muresanu (Rumani), fitues i “European Film Award 2020”.

Gjithashtu në juri janë Giovanni Robbiano (Itali), Sandra Kawar (Jordani), Simeon Ventsislavov (Bullgari), Alessandra Pastore (Itali), Nazl Eda Noyan (Turqi), Maria Di Razza (Itali), Predrag Bambic (Serbi), Ismet Sijarina (Kosovë), Jean Paul Pauëels (Belgjikë), Barbara Gasser (Austri), Jen Alvares (USA), Sehad Cekic (Mal i Zi), Ben Apolloni (Maqedonia e Veriut), dhe Erenik Beqiri, Blerina Hankollari, Anila Varfi nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë