Ana e errët

‘Ti je e divorcuar’! Si u përleshën polici, boksieri, fqinji dhe shokët pas grindjes mes dy mësueseve të ‘Çajupit’ një javë më parë

Kur policia i hodhi prangat 38-vjeçarit Edmond Faja dhe referoi në gjendje të lirë pesë persona të tjerë që u përleshën në afërsi të shkollës “Andon Zako Çajupi”, ata nuk i habiti as sekuestrimi i pistoletës, as tre gëzhojave në vendngjarje, as i dy maskave anti-Covid dhe as kapelet me mbishkrimin “Life the leave nothing”.

Prania e dy mësueseve që u kthyen në një mollë sherri solli shtangien e oficerëve të policisë, që duke gjurmuar në dëshmi dhe deklarata, pretendojnë se e zbardhën krejt incidentin e ndodhur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Një nga të dëmtuarit, e quajtur Enea Kovaçi përfundoi në spital nga dëmtimet dhe përleshjet midis dy grupeve.

Secili nga pjesëmarrësit në murin e shkollës “Çajupi”, tregon në dosjen e vënë në dispozicion Gazetasi.al, nga policia, se si ata u zhvendosën për kafe në atë zonë dhe se si u ndez debati që precipitoi në sulm me armë zjarri (e gjetur më pas në disa shkurre).

L.Duro: Isha për kafe, kushërira e shokut tregoi që kishte probleme

“Takova shtetasin Enrik Qinami dhe ndërsa po pinim kafe, më tha se motra e tij dhe kushërira ime kishte një konflikt me një kolege tek shkolla “Çajupi”. Për këtë arsye, motra e tij, Lida Qinami ishte e frikësuar dhe nuk shkonte tek puna pasi e kërcënonin disa persona”.

I riu kujton se, pasi ka pyetur se cila ishte mësuesja që kishte konflikt arsimtarja e re, ka mësuar se ajo quhej Domenika. “E njihja këtë shtetase, pasi e kam pasur komshie dhe sapo dëgjova emrin, thashë mund të shkojmë të flasim e të sqarojmë situatën”.

Dy të rinjtë kanë shkuar për të pirë kafe, ku mësuesja Lida ka ftuar edhe kolegen e quajtur Domenika në kafe për t’u sqaruar dhe për të zgjidhur problemin.

“Ndërkohë ndërhyra dhe iu thashë s’keni përse ziheni, sepse jeni kolege”, - dëshmon më tej në polici i riu, sipas burimeve të sigurta të Gazetasi.al.

Sipas tij, pasi Domenika Toptani ka dhënë njohje, të dyja kanë rënë dakord se do shkonin mirë. “Pasi ranë dakord dhe u pajtuan, ne të dy ikëm dhe Lida shkoi në shkollë”, - tregon dëshmitari Duro. Por situata nuk është mbyllur këtu. Përkundrazi.

“Pas dhjetë minutash, Lida e merr në telefon dhe i thotë të vëllait se kishin ardhur disa djem tek shkolla dhe i thotë: ‘Të lutem ktheu shpejt, pasi kam frikë’”.

Kur dy të rinjtë mbërritën në shkollë dhe pyetën mësuese Domenika Toptani se çfarë problem kishte, ajo është përgjigjur: “S’ka asnjë problem, e kemi mbyllur këtë gjë”.

Bëhet me dije, se më pas Duron e kanë goditur disa djem të rinj, që me sa u kuptua kishin ardhur në mbrojtje të mësueses Domenika Toptani dhe që ishin thirrur për përforcime prej saj.

“Unë jam mbrojtur me grushte, - thotë i riu, - dhe kam parë që në konflikt u përfshinë shumë veta dhe ndërsa po konfliktoheshim dëgjova të shtëna me armë zjarri”.

Edhe pronari i lokalit, konfirmon se një grup njerëzish, pasi ishin grindur, kishin përplasur me karriget që gjendeshin në trotuar. Pjesëmarrësi tjetër në grindje. E.Kasaj, përmend se teksa po kalonte përpara shkollës, ka parë shokun e tij të shqetësuar dhe kur e ka pyetur çfarë halli kishte, ai i është përgjigjur: “S’kam asgjë”.

Teksa ai ka qëndruar duke pritur, ka parë disa persona  që kanë filluar të konfliktohen me Enon dhe për këtë shkak ai pretendon se hyri për t’i ndarë.

Edhe punonjësi i policisë, Viktor Suli, i cili gjendej me shërbim përpara shkollës, nuk ka mundur dot ta parandalojë ngjarjen.

“Isha me shërbim në afërsi të shkollës, kur dëgjova të shtëna me armë zjarri dhe menjëherë jam afruar ku kam parë një grumbull njerëzish duke u konfliktuar”.

Çfarë thotë mësuesja e Letërsisë?

Ajo quhet Elida Qenami dhe pretendon në polici se atë ditë, gjendej në mësim në klasën 10/9, kur kolegët i kanë thënë se dikush po zihej jashtë. “Nuk më shkoi mendja se ishin njerëzit e mi, ndaj hyra në mësim“.

Por nga të dhënat e policisë, rezulton se sakaq jashtë shkollës, dy njerëzit e saj, i vëllai dhe djali i dajës po konfliktoheshin. Dy mësueset, njëra e Letërsisë dhe tjetra, Domenika Toptani e moshës 52 vjeçe, mësuese Historie, ishin konfliktuar një javë përpara se të plaste grindja me armë zjarri.

“Në datën 4 tetor lindi situata. Më ndaloi kolegia Domenika Toptani dhe më pyeti pse bëni me shenja pas krahëve të mi?. Aty filloi sharjet banale dhe që s’kanë lidhje me profesionin tim dhe më përmendi faktin që jam e divorcuar dhe që po bashkëjetoj me partnerin tim, Pra, arsye që nuk kanë lidhje me punën time”.

Kur mësuesja e Letërsisë është kthyer në shtëpi ka vënë në dijeni bashkëjetuesin, i cili nuk ka hezituar, por menjëherë ka telefonuar dhëndrin e mësueses së Historisë të cilin e njihte. Të dy ata janë takuar një ditë më vonë, ku sipas mësueses së Letërsisë, i është kërkuar dhëndrrit që t’i kërkojë vjehrrës ta lërë të qetë kolegen.

Mësuesja e Letërsisë ka vijuar rutinën sipas dëshmisë së saj, që e citojnë burimet e Gazetasi.al, deri ditën kur kolegia “erdhi me histerizma në shkollë, duke i bërtitur në oborr: ‘Do më marrësh në qafë djalin, ka ardhur djali im këtu do ta shohësh çfarë do të bëj’”.

As atë ditë, të dyja mësueset nuk janë sqaruar dhe as që kanë mundur ta mbyllin këtë kapitull. Mësuesja i thotë policisë, se një ditë më pas, për shkak se ajo ishte e frikësuar, i ka kërkuar partnerit që ta priste dhe ta largonte.

“Aty u afruan një grup çunash që na shanë, mes tyre edhe djali i koleges, aty afër ishte një patrullë policie, e largoi shtetasin Alvaro e po ashtu u larguam edhe ne”, - dëshmon mësuesja e pezulluar tanimë nga detyra.

Megjithatë, pas kësaj situate, mësuesja e Letërsisë ka pasur frikë që të paraqitet në vijim pa u shoqëruar nga të afërmit, ndaj ka kërkuar ndihmën e të vëllait dhe palët kanë tentuar të sqarohen në lokalin pranë shkollës.

Mësuesja e Historisë .. erdhën dhe më thanë...

Edhe mësuesja tjetër, këmbëngul se i ra në qafë kolegia. Ajo shton se e pi kafen rregullisht në lokalin pranë shkollës kur ka dëgjuar kolegen: “Hajde merru vesh me këta cubat e mi”. Mësuesja vijon se kolegia ishte në tavolinë me 4 apo pesë burra, ku mes tyre ajo ka njohur komshiun L.Duro.

“Kur u afrova, ata filluan duke bërtitur, do iu zhdukim si familje, do iu varim, nuk pyesim për djalin tënd se është i vetëm, nuk na njeh neve“. Njëri ndër ta i është prezantuar mësueses së Historisë si shef policie.

“Jam shef policie, - më tha dhe ia ktheva: ‘Qofsh shëndosh’”. Pikërisht ky person që u prezantua si i tillë, e ka kapur për krahu dhe e ka goditur dy herë me grushte.

Ndërkohë, që një tjetër e ka kanosur sipas rrëfimit që tregojnë burimet e policisë për Gazetasi.al. ”Do të fusim në thesin e koncensioneve”.

Në këtë grindje, sipas mësueses, gjendej edhe dhëndri i saj, që është boksier. “Goditën dhëndrin tim, por ai është boksier dhe u kundërpërgjigj, ndodhi sherr masiv me karrige, pastaj u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Personi që nxori armën është vëllai i mësueses tjetër, që me sa di unë është punonjës policie”.

Mësuesja e Historisë kujton se aty u qëllua tre herë me armë zjarri. ”Jam mëse e sigurt që ishte vëllai i koleges , konflikti erdhi për motive të dobëta nga një çështje banale, nuk ka asnjë motiv tjetër, jemi mësuese në një shkollë dhe unë nuk kam shumë muhabet me të”, - shton më tej Domenika Toptani, mësuese Historie te gjimnazi “Çajupi”.

Edhe personi që u arrestua, i quajtur Edmond Faja, kujton se kishte shoqëruar shokun e tij, pasi e motra, mësuese Letërsie prej ditësh ishte e shqetësuar duke qenë se po e kërcënonin.

“Kur u sqaruan në lokal, pashë që ato të dyja i dhanë dorën njëra-tjetrës  dhe se kur u larguam, dëgjova që shokun tim e mori një person që i kërkoi takim pasi donte të sqaroheshin”, citon Gazetasi.al.

Mësuesja e Historisë e mbyll dëshminë e saj në këtë mënyrë: “Ka qenë një debat javën e kaluar në sallën e mësueseve,  por më shumë fjalë nxënësish se nuk kam asnjë problem me të. Nuk  e mendoja se do thërriste të tjerë për t’u sqaruar me mua si femër, kur mund ta zgjidhnim ndryshe këtë muhabet. Nuk e di si do zgjidhet kjo situatë mes nesh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë