Ka ndodhur

Sherri te ‘Çajupi’, konflikti mes dy mësueseve nisi në lokal dhe vijoi në rrugë

Një sherr banal mes dy mësueseve të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, ka shkaktuar një konflikt fizik ku u përfshinë edhe familjarë të tyre dhe u përdor madje një armë zjarri pistoletë.

Policia thotë se 6 persona janë përfshirë në këtë përplasje fizike, e cila ka nisur në lokal dhe ka vijuar në rrugë me goditje karrigesh në kokë.

Në komisariat janë shoqëruar 5 prej tyre, kurse të plagosur kanë mbetur disa të tjerë të përfshirë në sherr, ndërsa shtetasi E.K., 32 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjekësore pas goditjeve që ka marrë.

Mes të shoqëruarve në polici dyshohet të jetë edhe një person me detyrë polic ushtarak, i cili sipas informacioneve paraprake, ka shkrepur armën në vendngjarje, duke qëlluar disa herë në ajër, por pa pasoja në njerëz.

Të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes, ishin disa policë rrugorë, të cilët nuk mundën ta parandalojnë konfliktin dhe pas pak minutash në ndihmë të tyre erdhën edhe policë të forcave "Shqiponja".

Si prova materiale grupi hetimor ka sekuestruar maskat anti-Covid, kapele, si dhe një armë zjarri që ende nuk dihet se kujt i përket.

"Sqarojmë se nuk ka persona të lënduar nga përdorimi i armës së zjarrit”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e policisë për mediat, pa sqaruar motivin e vërtetë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë