Futboll

Thuajse të gjitha biletat të shitura, ‘Air Albania’ plot për Partizani-Roma

Gazeta Si – Fokusi i Partizanit në këtë moment është sigurisht tek Europa, por edhe miqësorja me Romën, që luhet të shtunën në stadiumin ‘Air Albania’, ora 20:00. Është një nga ato ndeshje, që lojtarëve u qëllon një herë në jetë ta luajnë, edhe pse miqësore.

Tifozët kanë shfaqur interesim të jashtëzakonshëm për këtë ndeshje dhe 24 orë para saj mësohet se janë shitur 17 mijë bileta nga 18 mijë që janë në dispozicion. Me siguri që edhe ato 1000 bileta të mbetura do të shiten dhe stadiumi do të jetë plot për këtë miqësore luksi.

Përjashtim bëjnë vetëm dy tribunat pas porte, sepse në këto sektorë të ‘Air Albanias’ janë hequr stolat. Tifozët e Partizanit dhe jo vetëm do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër një nga skuadrat më të mira të Serisë A, që pikërisht në këtë stadium fitoi trofeun e parë të Ligës së Konferencës.

Në kryeqytet vjen gjithashtu një nga trajnerët më karizmatikë në botë, Zhoze Mourinjo. Me Romën luan edhe mbrojtësi i Kombëtares, i cili është në fazë rikuperimi. Për Romën është testi i fundit para kampionatit, ndërsa Partizani mund ta luajë me ‘frena dore’ këtë ndeshje, pasi përpara ka sfidat europiane dhe kërkon të shkojë të paktën në ‘Play-off’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë