Kosova

Thirrje për vaksinim në Kosovë për të shmangur një tjetër mbyllje në vjeshtë

Autoritetet në Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve që të nxitojnë të vaksinohen për të shmangur një mbyllje tjetër të vendit si pasojë e Covid.

Ato paralajmërojnë se vjeshta do të jetë e vështirë dhe nën kërcënimin e variantit Delta, sistemi shëndetësor mund të mbingarkohet duke detyruar Qeverinë që të ashpërsojë masat kufizuese, deri në izolim.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj tha në një prononcim për Ekonomia Online, se varianti Delta është mjaft i rrezikshëm dhe ka mundësi që të përhapet në masë të madhe. Vishaj shtoi se është e mundur edhe paraqitja e valëve të tjera të virusit në vjeshtë, duke shtuar se vaksinimi është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur.

“Padyshim që varianti Delta është i rrezikshëm, sepse ka mundësi të madhe që të përhapet në masë, mirëpo vaksinimi i popullatës është e rëndësishme që një gjë e tillë të mos ndodh. Besoj se me vaksinimin masiv valët që pritet të vijnë do të jenë të një intensiteti më të pranueshëm dhe më lehtë të menaxhueshme. Është e mundur paraqitja e valëve në vjeshtë, mirëpo nëse popullata vaksinohet këto valë që pritet të vijnë nuk do të jenë të një intensiteti çfarë ishin më parë”, tha ai.

Vishaj tha se vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta, sepse njerëzit që vaksinohen në të ardhmen mund të infektohen, por nuk zhvillojnë forma të rënda klinike.

“Unë po besoj që ka mirëkuptim sepse popullata e vendit tonë në situatat më të rënda gjithmonë ka bërë zgjidhjet më të mira të mundshme. Edhe në këtë rast qytetarët do ta bëjnë zgjidhjen e duhur për tu vaksinuar sepse në këtë mënyrë mbrojmë veten dhe familjen”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë