Futboll

Thellohet kriza te Flamurtari, largohen Haxhiu dhe Pollozhani

U duk se Flamurtari bëri një hap përpara për stabilizimin e situatës problematike, duke zgjedhur trajnerin dhe duke bërë lëvizjet e para në merkaton e verës, por sot ka bërë disa hapa prapa, që e zhytin më thellë në krizë. Trajneri Gerd Haxhiu, i zyrtarizuar pak ditë më parë në stolin e Flamurtarit, sot është larguar nga kjo detyrë. Një vendim i marrë për shkak se gjërat nuk kanë shkuar sipas asaj që palët kishin rënë dakord me parë.

Po ashtu, i larguar nga Flamurtari është edhe Artim Pollozhani, futbollist i skuadrës vlonjate sezonin e shkuar dhe drejtor sportiv kohët e fundit, edhe pse ai nuk është zyrtarizuar asnjëherë si i tillë nga klubi kuqezi. Ditët e fundit, drejtuesit e Flamurtarit kanë afruar në ekip sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe Ardit Hoxhaj, më parë edhe një futbollist boshnjak. Duket se tek afrimi i lojtarëve ka lindur dhe problemi mes administratorit të klubit, Sinan Idrizi, dhe trajnerit Haxhiu e drejtorit sportiv.

Dy drejtuesit teknikë të skuadrës nuk e kanë pranuar ndërhyrjen e presidentit të Flamurtarit për marrjen në ekip të futbollistëve të caktuar. Tani, 10 ditë para nisjes së kampionatit, klubi vlonjat duhet të gjejë një tjetër trajner dhe një drejtor sportiv. Flamurtari duket vërtet në pikë të hallit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë