Futboll

Thashethemet e fundit në merkaton italiane, ziejnë Roma dhe Inter

Janë ditët e fundit të merkatos dhe këtë fundjavë kur starton dhe kampionati, në Itali ka shumë emra që qarkullojnë. Interi dhe Roma janë dy skuadrat që duken më shumë aktive në këto ditë, pasi janë në tratativa si në hyrje edhe në dalje.

Për zikaltërit është qartësuar situata e Ikardit. Argjentinasi nuk do të largohet nga Milano, do të vijojë të jetë pjesë e ekipit edhe për sezonin që vjen dhe mbi shpinë do të mbajë fanellën me numrin 7. Mediet italiane mbrëmë raportuan për prezencën e tij në stërvitjen e pazakontë të Kontes në San Siro dhe pritet që për të, të ketë një fillim nga zero te Milan edhe pse të shumët janë skeptikët që dyshojnë se ai mund ta marrë një shans të dytë me fanellën zikaltër. Ndërkohë te Inter ka edhe katër pista shumë të nxehta në merkato. I pari dhe më i bujshmi është Aleksis Sançez, i cili është shumë pranë Interit, por si duket ka një ngërç, që nuk po kalohet dot këto 2 ditët e fundit. Interi pritet që gjatë javës të afrojë dhe Briagin nga Fiorentina, i cili do të marrë vendin e Dalbert që pritet të largohet për në Francë. Gjithashtu Marota duhet të gjejë një sistemim për mesfushorin Zhoao Mario, që pritet të largohet në Portugali.

Por panorama e merkatos është po kaq kaotike edhe te një tjetër ekip italian, Roma. Kryeqytetasit kanë bërë shumë lëvizje në këtë merkato, duke i plotësuar kërkesat e trajnerit të ri Fonseka. Pasi bindi Xhekon, në Romë duhet edhe një sulmues rezervë. Patrik Shik pritet të largohet dhe vendin e tij me shumë gjasë do e zërë, Nikola Kaliniç. Gjithashtu Roma mundi t’i gjente një zgjidhje dje edhe mesfushorit të padëshiruar, Nzonzi, i cili kaloi në Turqi te Gallatasarai.

Lëvizje, por pak më të vogla po bën edhe Milani, që vijon të jetë në merkato për një sulmues qendror. Në pritje të sistemimit të Andre Silvës, Maldini dhe Gazidis pritet të mbyllin tratativën e vështirë për të marrë Korrean nga Atletiko Madrid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë