Politike

Thaçi: Kurti uzurpator! Kryeministri: Hajde bëjmë zgjedhje

Hashim Thaçi akuzon Albin Kurtin se ka uzurpuar karrigen e Kryeministrit të Kosovës dhe se po qëndron ende në detyrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Ne të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Për fat të keq kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si një njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare”, ka deklaruar Presidenti Thaçi.

Megjithatë, Thaçi ka bërë thirrje për qetësi e durim dhe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku Albin Kurti ka dorëzua dekretin e tij që mandaton LDK-në dhe Abdullah Hotin për formimin e Qeverisë së re. Ai mohon akuzat se po ushtron presion ndaj kësaj gjykate dhe duke iu referuar shembujve nga e shkuara deklaron se ka treguar se respekton vendimet e saj.

Thaçi, ashtu si pjesë tjetër e klasës politike dhe qytetarëve të Kosovës mbeten në pritje të përgjigjes përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Por, një përgjigje, Presidenti e ka marrë nga Albin Kurti, Vetëvendosja e të cilit e vlerëson si antikushtetues dekretin e mandatimit të Abdullah Hotit për Kryeministër dhe në vend të kësaj kërkon zgjedhje të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës refuzon që ta vlerësojë situatën si ngërç institucional.

“Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Europës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”, deklaroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë