Politike

Thaçi: Gjykata Speciale, padrejtësi historike e domosdoshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u nis këtë të diel nga Tirana në drejtim të Hagës për t’u marrë në pyetje nga Prokurorët Specialë në lidhje me akt-akuzën e ngritur kundër tij për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe tortura.

Thaçi, që ishte njëri prej mbështetësve kryesorë të votimit në Kuvendin e Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale sot e vlerëson atë votim si një padrejtësi historike, por të domosdoshme për të renditur Kosovën strategjikisht në krah të aleatëve të saj perëndimorë.

“E di se ka qenë një padrejtësi historike kur janë themeluar këto dhoma të specializuara, por dua të theksoj edhe sot se ka qenë një vendim shumë i rëndë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, por një vendim strategjik i drejtë, sepse ne duhet që çdo rrethanë, pavarësisht sakrificave që kemi paguar më herët dhe që përballemi edhe sot, besimi në botën perëndimore veçanërisht në aleatët tanë që na ndihmuan për të fituar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me SHBA, NATO-n dhe BE duhet ta kemi të palëkundur”, deklaroi ai në një intervistë për Top Channel.

Presidenti i Kosovës e cilëson ngritjen e Gjykatës Speciale si vija që ndante rrugën që do të ndiqte Kosova në 2015, kur u votua në Kuvend.

“Kemi pasur mundësinë o të vazhdojmë me NATO-n, SHBA e BE, ose te mbetemi në duart e vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje e Dhomave të Specializuara të bartet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, thotë ai.

Thaçi i mirëkupton kritikat, por thotë se i mbetet bindjes se ai vendim i pesë viteve më parë ka qenë i drejtë. Ai është i bindur gjithashtu edhe tek pastërtia e luftës së UÇK-së dhe tek pafajësia e bashkëluftëtarëve. Përballjen me Hagën e vlerëson si rrethanë e re për të paguar çmimin e lirisë.

Presidenti deklaroi se nuk e ka përcaktuar ende stafin mbrojtës përballë këtyre akuzave dhe u shpreh se do të jetë gjithmonë në gatishmëri për t’iu përgjigjur thirrjes së Dhomave Speciale, ku ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse akt-akuza konfirmohet dhe ai merret zyrtarisht i pandehur.

“Lufta jonë ka qenë e pastër, e drejtë ka qenë prej lëvizjeve qytetare, të armatosura që si bazament kishte lëvizjen paqësore një prej lëvizjeve më të suksesshme në botë, sepse ka zhvilluar një betejë përballë një aparati genocidal të spastrimit etnik e në të njëjtën kohë përballë një regjimi që kishte kryer masakra e genocid si ato në Srebrenicë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë