Futboll

Teuta ngec sërish, barazon edhe me Kamzën

Po duket një ngërç psikologjik shumë i vështirë për t’u kaluar kjo periudhë te Teuta. Ekipi durrsak është ndalur sërish në barazim edhe këtë javë të Superligës në përballjen me Kamzën e vendit të fundit. Edhe pse me emra të mëdhenj në majën e sulmit, të paktën në letër, Teuta nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës edhe këtë herë, duke shënuar barazimin e katërt radhazi.

Vendasit kërkuan që të shënojnë që në minutat e para, duke sulmuar dhe mbyllur në portën e saj Kamzën, që u mbrojt mirë. Në minutën e 19’ Teuta pati rastin më të mirë për të shënuar, por Kallaku nga pika e bardhë e penalltisë nuk u tregua i saktë. Edhe pas këtij episodi, ekipi i Shkëmbit sërish nuk u dorëzua, insistoi për të shënuar, por pa mundur dot t’ia dalë mbanë.

Në fillimin e pjesës së dytë Kamza provoi të reagonte por pa forcën e duhur. Në pjesën më të madhe të 45 minutave të dyta loja u bë shumë e ashpër në mesin e fushës me të dyja ekipet që nuk lëshonin territor. Teuta provoi deri në fund për të marrë fitoren në shtëpi përballë vendit të fundit, por nuk ia doli dot. Me këtë barazim durrsakët komplikojnë pozitat e tyre në luftën për në Kupat e Europës, pasi ndodhen në vendin e 3-të me 36 pikë, duke rrezikuar që të ndjejnë më nga afër praninë e Laçit që luan nesër me Skënderbeun. Ndërsa për Kamzën kjo pikë nuk bën punë, pasi vijon të mbetet në vendin e fundit me 16 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë