Futboll

Teuta e pafuqishme, Kukësi avancon në Kupën e Shqipërisë

Kukësi është ekipi i katër gjysmëfinalist i Kupës së Shqipërisë, pas fitores 1-0 ndaj Teutës në ndeshjen e kthimit (3-2 rezultati i përgjithshëm). Ekipi verior i bashkohet Skënderbeut, që kaloi pa djersitur fare, sepse në çerekfinale duhej të ndeshej me Kamzën e përjashtuar, Luftëtarit që bëri surprizën më të madhe, duke eliminuar Partizanin, dhe Tiranës që ia doli me shumë vështirësi në Laç.

Barazimi 2-2 në stadiumin ”Niko Dovana” dy javë më parë mbante gjallë shpresat e durrsakëve për kualifikim dhe trajneri Bledi Shkëmbi kishte zgjehdur një formacion sulmues për ndeshjen që u luajt në stadiumin “Elbasan Arena”. Por Teuta bëri shumë pak për të shënuar deri në momentin që Rexhinaldo shënoi për Kukësin. Ishte minuta e 60-të dhe durrsakët e kishin të pamundur të reagonin për të shënuar dy gola. Gjithçka u mbyll në këtë moment dhe më pas skuadra e drejtuar nga trajneri Ndreu e administroi lojën me shumë qetësi. I pakuptimtë tensioni në fundin e ndeshjes, kur braziliani Uilliam Kordeiro i Kukësit dhe Frashëri i Teutës u ndëshkuan me karton të kuq pas një zënke mes tyre.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Teutës

Kukësi ka shanse të pakta për titullin, sepse është 9 pikë pas Partizanit, por mund të fitojë një trofe këtë sezon, Kupën e Shqipërisë. Në anën tjetër, Teuta duhet të ruajë pozicionin që ka në kampionat, vendin e tretë, për të siguruar pjesëmarrjen ne Kupat e Europës. Dy çiftet gjysmëfinaliste do të përcaktohen nga shorti i lirë që do të hidhet nga Fedarata Shqiptare e Futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë