Sociale

Tetori rozë/ Mamografia falas për të gjitha vajzat dhe gratë

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit është përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë që do të kryhet mamografi falas përgjatë gjithë muajit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se kabinetet e mamografisë do të punojnë me oraret të zgjatura, nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00, duke ofruar falas ekzaminimin e gjirit për gratë.

“Merr pak kohë nga koha jote për të kryer kontrollin e gjirit. Diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën”, shkruan Manastirliu.

Ministrja cilësoi se mamografia falas mund të kryhet në spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit, Lezhës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, ndërsa në Tiranë kryhet në QSUT, në Maternitetin ‘Mbreteresha Geraldinë’ dhe në Poliklinikën Qendrore Tiranë. Më tej Ministrja shtoi se gjithashtu janë në dispozicion edhe dy mamografitë e lëvizshme, të cilat do të jenë gjatë gjithë muajit në zonat rurale dhe urbane në të gjithë vendin, sipas një kalendari të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ndër të tjera institucionet përkatëse kanë marrë masa për organizimin e fushatës. Ndërkohë, për të evituar rrezikun e infektimit nga Covid-19, personeli që shërben brenda njësisë lëvizëse të mamografisë, do të jetë i pajisur me mjete mbrojtëse personale anticovid. Me qëllim evitimin e grumbullimeve të personave që janë planifikuar për t’u ekzaminuar do të përcaktohen orare për paraqitjen e pacientëve të cilët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë