Kombetarja

Testohen në Itali 54 lojtarë, trajnerët kuqezi në kërkim të talenteve

Trajnerët e ekipeve kombëtare të Shqipërisë, me në krye Edi Rejën dhe drejtorin teknik Xhankarlo Kamoleze, janë vënë në kërkim të talenteve kuqezi. Ata kanë bërë një seleksionim në Padova të Italisë të lojtarëve të datëlindjeve 2004, 2005 dhe 2006, të cilët luajnë me ekipe italiane, austriake dhe angleze.

Këto ditë, Kombëtarja U-17, e drejtuar nga Ervin Bulku, është e impenjuar në një turne në Itali. Atë e kanë ndjekur nga afër edhe trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ndihmësi i tij Porrini dhe drejtori teknik Kamoleze, duke asistuar në seleksionimin e talenteve. Kanë marrë pjesë gjithashtu trajneri i Kombëtares U-16 Agron Kërçova, i Kombëtares U-18 Ardi Behari, specialisti i sektorit të ekipeve Kombëtare Sulejman Mema dhe skauti i FSHF-së në Itali, Evis Jaho.

Në këtë seleksionim janë paraqitur 54 futbollistë të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç. Trajnerët kuqezi kanë biseduar me prindërit e këtyre lojtarëve, duke u shpjeguar rëndësinë e aktivitetit dhe projektin e së ardhmes. Kanë spikatur në këtë grumbullim disa lojtarë, të cilët janë pjesë e klubeve, si Lacio, Sampdoria, Torino, Xhenoa etj.

Kamoleze, drejtori teknik i FSHF-së. Gazeta Si, 25 qershor 2021

Drejtori teknik, Xhankarlo Kamoleze, për faqen e FSHF-së është shprehur: “Bëmë këtë seleksionim me futbollistë shqiptarë që aktivizoheshin kryesisht në klube italiane. Ishin ftuar 54 lojtarë dhe kemi organizuar dy ndeshje testuese. Jemi shumë të kënaqur, sepse kishte pjesëmarrje të madhe të lojtarëve, që erdhën bashkë me familjarët. Ishte edhe trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja dhe stafi i tij.

Kemi biseduar me familjarët e lojtarëve në një klimë mjaft miqësore. Mund të them se kemi parë elementë mjaft interesantë dhe ne do t’u qëndrojmë gjithmonë pranë përmes strukturave tona për të parë në vazhdimësi rritjen e tyre. Ata që e meritojnë do të jenë pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave. Pak prej tyre kanë luajtur me ekipet Kombëtare të moshave më parë, të tjerët janë të rinj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë