Politike

Testimet rindezin akuzat Rama-Basha

Edi Rama ironizoi akuzat e Lulzim Bashës mbi strategjinë e testimit. Kreu i PD-së kërkon një testim masiv, ndërsa Kryeministri mbrohet duke deklaruar se testimi përzgjedhës dhe i kujdesshëm është strategji e miratuar edhe nga OBSH.

Rama thotë se strategjia e testimit dhe numri i tyre nuk është në dorë të Qeverisë, por të Komitetit Teknik.

“PD s'mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit.Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7x7=42”, deklaroi Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1247092523362914306

Reagimi i Bashës nuk ka vonuar. Kreu i PD thotë se në të vërtetë Komiteti Teknik është alibia pas të cilës fshihet Edi Rama dhe dështimet e tij.

“Testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda! KM po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është. Është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij”, deklaroi kreu i PD.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1247112387246927874

Basha shprehet se është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. "Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij", mbyll reagimin e tij kreu i opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë