Kombetarja

Testet miqësore me Kosovën, Dede ka besim te kombëtarja U-18

Në prag të dy ndeshjeve miqësore me Kosovën, trajneri i Shqipërisë U-18, Nevil Dede, ka folur sot në konferencë për shtyp. Për këtë dy ndeshje, Dede ka thirrur në ekip 22 futbollistë dhe thekson se fryma në grup është shumë pozitive.

 “Deri diku, kjo skuadër po formohet. Ka marrë një fytyrë. Strategjia e zyrës tonë përkatëse është që të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria. Këtë e kam deklaruar që në fillim. Arsyeja e parë dhe e vetme për këta futbollistë që marrin pjesë në klubet shqiptare është që të ketë respekt dhe vëmendje. Veç kësaj, i duhet dhënë oksigjen ekipeve shqiptare, pasi kanë edhe një sërë ekipesh zinxhir. Duhet të përmirësohen në procesin e rritjes dhe të jenë sa më funksionalë.

Sipas Dedes, po shikohen me kujdes lojtarët e rinj brenda vendit, sigurisht pa lënë jashtë vëmendjes të gjithë ata lojtarë kuqezinj që janë formuar dhe aktivizohen në kampionatet e ndryshme në Europë.

“E para është zgjedhja e elementit më të mirë. Strategji apo ide që duam të ushqejmë futbollin shqiptar. Aty pastaj problematika është se cilët janë më të mirët. Për të furnizuar ekipin U-21 dhe kombëtaren A më pas. Ne i vëzhgojmë gati të gjithë, kudo që ndodhen. Federata ka strukturat e saj edhe në shtetet e tjera të Europës dhe marrim informacion sa më të plotë dhe të saktë. Nëse këta luajnë rregullisht, dërgojmë ftesa dhe shohim se si përshtaten me ambientin.”

Në fund, duke folur për dy ndeshjet me Kosovën, Nevil Dede tha se nuk ka rivalitet mes të dyjave dhe se të gjithë talentet shqiptare janë të lirë për të bërë zgjedhjen e tyre të lirë dhe të pavarur.

“Nuk ka antagonizëm dhe agresivitet... Në 27 vjet në Shqipëri, të gjithë kanë menduar të largohen për diçka më të mirë. Ndërsa, kombëtarja ka afruar shumë që të vijnë këtu.  Një nga gjërat më të mira është futbolli dhe kombëtarja. Ne jemi motiv që ata të vijnë te Shqipëria. Shpresojmë që shumë shqiptarë të Kosovës t'i bëjmë të vijnë, por çdokush zgjedh vetë.”

Dy miqësoret që kuqezinjtë do të zhvillojnë me Kosovën do të luhen në Drenas dhe Prishtinë më 3 dhe 5 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë