Shendet

Rrugës për te testet e shpejta virusi udhëton lirshëm

Teksa sheh rrugët plot njerëz në Tiranë ku statistikat tregojnë se jemi pranë imuniteti të tufës, sheh se njerëzit pas nisjes së vaksinës kanë harruar të kujdesen. Madje edhe në qendrat shëndetësore, ku njerëzit qëndrojnë në radhë duke mbajtur distancë për të kryer testin e shpejtë të antigenit, ajo çfarë vihet re është se shumica nuk mbajnë maska. Persona të ndryshëm në qendrat shëndetësore numër 6, 9 dhe 10 i treguan Gazetës “Si” se për të arritur deri aty, ata kishin udhëtuar me autobus. Njëri prej tyre, Valteri, i tregoi Gazetës se kishte marrë dy autobusë për të ardhur deri tek qendra shëndetësore numër 9. “Qendra ime është afër bllokut por mjeku i familjes më ka drejtuar për këtu, sepse këtu bëhen testet e shpejta për ne. Nuk mund të vija dot në këmbë sepse e ndjeja veten shumë të lodhur dhe në autobus u përpoqa që të jem sa më korrekt edhe me maskën, edhe me distancimin,” thotë 45-vjeçari.

Në të gjithë personat e pyetur nga Gazeta “Si”, në të tre qendrat që vizituam, kuptohej se personat kishin marrë minimalisht një autobus për të arritur në destinacion, pavarësisht se në momentin që kanë simptoma dhe drejtohen nga mjeku i familjes për testin e shpejtë, automatikisht duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në rrjedhën e logjikës epidemiologjike, kjo gjë është ende e paqartë dhe mjekët nuk japin ndonjë shpjegim për këtë pjesë. Ndërkaq, ata pohojnë për Gazetën “Si” se që prej fillimit kanë marrë periodikisht testet e shpejta. Në konfidencialitet disa mjekë tregojnë se gjatë një dite përafërsisht mund të marrin rreth 20 referime për të kryer testin e shpejtë.

Valteri shpjegon se prej katër ditësh ka pasur dhimbje koke dhe një kollë të lehtë, por në momentin e parë që kishte komunikuar me mjekun, ai i kishte rekomanduar testin e shpejtë. Ai nuk është i vetmi që ka ardhur me të njëjtën “histori” deri në qendrën shëndetësore, por ndryshe nga të tjerët, ai duket ndër të paktët që nuk ka ndryshuar sjellje në këtë kohë pandemie. Mjafton një vëzhgim i thjeshtë nëpër Tiranë, ku mund të dallosh qartë se qytetarët kanë harruar si të mbajnë maskën dhe distancimin social. Që prej mbërritjes se vaksinës, vërehet se ka një tendencë për të mos respektuar asnjë masë për t’u mbrojtur nga virusi.

Gjithkush duket se e ka harruar edhe faktin se jemi nën një akt normativ që të dënon nëse nuk mbron veten dhe të tjerët. Gazeta "Si" vërejti gjithashtu se në shumë raste edhe efektivët e policisë i neglizhojnë qytetarët pa maskë. Justifikimet e shumë kalimtarëve që pyeti Gazeta "Si", ishin nga më të ndryshmet; që prej faktit se “u merret fryma e donin të merrnin frymë lirisht” e deri te pohimi se "asnjëherë nuk i kishin mbajtur pavarësisht se kishin marrë gjoba". “S’ka çfarë na bën edhe një gjobë tjetër. Sa kemi marrë, nuk na bën më përshtypje,” thotë njëri prej tyre teksa nxiton në rrugën e tij.

Ndërsa një tjetër justifikim i qytetarëve është edhe vaksina. Neglizhenca e qytetarëve lexohet edhe në shifrat ditore të Ministrisë së Shëndetësisë. Në 24 orët e së shtunës shifra ditore e personave të infektuar ishte 660 raste të reja dhe nga këto rreth 250 raste ishin në Tiranë. Ditë më parë Akademia e Shkencave konfirmoi se në qytetin e Tiranës, seropozitiviteti ishte rreth 50% dhe kjo nuk është aspak e çuditshme kur nga 65.994 raste aktive në të gjithë vendin rreth 14.720 janë në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë