Shendet

Testet e antitrupave nuk japin përgjigje të sakta në lidhje me imunitetin Covid-19

Testet për antitrupat, të njohura edhe si teste serologjike, nuk japin përgjigjet të sakta. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave këshillojnë se nuk duhen përdorur testet e antitrupave për të përcaktuar nivelin e imunitetit kundrejt Covid-19.
Testet mund të tregojnë praninë apo edhe nivelin e antitrupave që luftojnë koronavirusin në qarkullimin e gjakut, por shkencëtarët ende nuk e dinë se cili numër i antitrupave sigurojnë mbrojtje nga Covid-19. Antitrupat janë molekula proteinike që sistemi imunitar prodhon për të neutralizuar viruset ose bakteret që kanë hyrë në trup.
Nivelet e antitrupave i ndihmojnë mjekët të përcaktojnë nëse një pacient ka imunitet ndaj sëmundjeve infektive të tjera, më të njohura, të tilla si fruthi dhe hepatiti A dhe B.
"Për shkak se “udhëtimi” ynë me këtë sëmundje është i ri, ne ende nuk e dimë se çfarë vlere ka imuniteti, sa është imuniteti i duhur saktësisht dhe a mjafton vetëm imuniteti natyral, apo i vaksinave”, tha Mary Hopkins, drejtoreshë e programit Programit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore Tufts, Masaçusets.
Alan Wells, drejtor mjekësor i laboratorëve klinikë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pittsburgh thotë se mjekët po urdhërojnë teste të antitrupave për njerëzit që shqetësohen për qëndrueshmërinë e imunitetit dhe sipas tij ky është një problem i madh.
“Për një person normal, njohja e nivelit të antitrupave tetë muaj më vonë pas dozave fillestare të vaksinës ka një vlerë relativisht të vogël”, shtoi ai.
Një problem tjetër me testet e antitrupave të koronavirusit, thonë mjekët, është se ato nuk janë të standardizuara, kështu që vlerat e lidhura me testet e antitrupave në një version mund të mos jenë të njëjta me një tjetër.
Ekspertët thonë se disa teste të antitrupave janë në gjendje t'i japin një vlerë numerike niveleve të antitrupave të një individi, megjithëse numrat nuk janë uniformë nga testi i një prodhuesi në tjetrin. Niveli mbi të cilin një person mund të konsiderohet se ka imunitet të mjaftueshëm është i panjohur.

Testimi i antitrupave mund të përcaktojë nëse dikush është ekspozuar ndaj koronavirusit ose ka marrë ndonjë nga vaksinat e përdorura kundër virusit. Disa teste zbulojnë antitrupat e krijuar në secilin rast, por të dhënat nuk janë gjithmonë të sakta. Të tjerët zbulojnë vetëm antitrupa që krijohen nga ekspozimi i virusit. Ato teste janë të ndryshme nga testet e PCR (reaksioni zinxhir polimerazë) që përdoren më shpesh për të përcaktuar nëse dikush ka virusin. Një test PCR zbulon materialin gjenetik të pranishëm në koronavirus.
Që në fillim të pandemisë, agjencitë e shëndetit publik dhe organizatat e tjera mjekësore përdorën teste PCR ose teste antigjeni, të cilat zbulojnë proteina të caktuara në virus dhe janë më të lira dhe më të shpejta edhe pse më pak të besueshme sesa testet e PCR, si mjeti kryesor për diagnostikimin e njerëzve me virus.
Hopkins tha se testet e antitrupave janë të dobishme për pacientët që dyshohen se kanë COVID-19 të gjatë.
Nëse dikush me Covid-19 nuk merr një test PCR në atë kohë, mënyra më e mirë për të përcaktuar ekspozimin më vonë është me një test antitrupi, edhe muaj pas kontaktit me virusin, tha Hopkins. "Kur shoh një pacient në klinikën time që ka gulçim ose ka dhimbje misterioze, i bëj një test të antitrupave për të parë nëse është Covid i gjatë. Megjithatë, mjekët shpjegojnë se sistemi imunitar ka kujtesë. Ata shpjegojnë se edhe pse antitrupat fillestarë bien pas kalimit të Covid-19 ose vaksinës qelizat e kujtesës ruajnë informacion në lidhje me sulmin origjinal, reagojnë ndaj një kërcënimi të ripërtërirë dhe fillojnë të stimulojnë trupin të rifillojë mbrojtjen e tij. Ekspertët shkruajnë se imuniteti i kujtesës mbetet i fortë dhe kjo është ajo që ne duhet të theksojmë për publikun.
Burimi: The Washington Post/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë