Futboll

Terror në Argjentinë/ Policia qëllon me plumba gome tifozët, një i vdekur

Gazeta Si - Kaos dhe terror në La Plata të Argjentinës. Tifozët donin të hynin në stadium dhe ndeshja Gimnasia-Boka Zhunior u ndërpre për 10 minuta. Një burrë 57-vjeçar humbi jetën gjatë incidenteve të ndodhura në këtë ndeshje kampionati.

Personi pësoi një arrest kardiak, teksa po transportohej me autoambulancë për në spital. Ndeshja u ndërpre në minutën e 10-të, për shkak të përleshjeve mes policisë dhe tifozëve, të cilët donin të hynin me forcë në stadium.

“Shumë donin të hynin pa biletë” – ka thënë Sergio Berni, Ministri i Sigurisë në Buenos Aires. Policia përdori gaz lotsjellës, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në frymëmarrje si për tifozët, ashtu edhe për lojtarët në fushë. U krijua një panik i madh mes tifozëve, pasi mund të ndodhte si në Indonezi. Po ashtu, policia përdori edhe plumba gome ndaj turmës.

Gjithçka precipitoi kur gazi lotsjellës u spostua nga era në fushën e lojës. Hugo Ibarra i kërkoi arbitrit ta ndalonte lojën dhe lojtarët e dy skuadrave u futën në dhomat e zhveshjes. Edhe tifozët provuan t’ia mbathnin dhe aty shpërtheu kaosi, pasi ata mbetën të rrethuar nga policia, ndërkohë që nuk po merrnin dot frymë. Policët ndërkohë nuk reshtnin së hedhuri gaz lotsjellës.

Disa tifozë hynë në fushë dhe shpëtuan. “Djali im 2 vjeç e 6 muaj nuk po merrte dot frymë”, - ka treguar për ‘Clarin’ mbrojtësi i Gimnasias, Leonardo Morales. “Ishte çmenduri. Po luanim një ndeshje futbolli dhe e transformuan në terror. Kishim edhe prindërit, që rrezikuan të vdisnin’, - ka shtuar ai.

Ministri i Sigurisë, Sergio Berni, ka deklaruar: “Mund të evitohej. Do të hetojmë gjithçka për atë që ndodhi. Nëse një polic ka qëlluar me plumba gome ndaj njerëzve, do të përgjigjet në gjykatë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë