Futboll

‘Terminatori Ronaldo’ dhe Juventus përmbysin Atletikon, Siti i frikshëm

Mbrëmja e djeshme e Ligës së Kampionëve ka qenë më shumë se fantastike, por me nota të theksuara epike. Do të jetë një e martë Championsi që ka për t’u mbajtur mend gjatë nga të gjithë. Juventus me Ronaldon në krye ka bërë përmbysjen e madhe, duke fituar 3-0 në shtëpi përballë Atletikos së Madridit. Ndërkohë Mançester Siti ka shpërthyer me lum golash përballë Shalkes, duke triumfuar në shifrat e thella 7-0.

Me misionin për të përmbysur humbjen e raundit të parë, Juventus u hodh në sulm që në minutat e para. Ronlado mori ekipin e tij prej dore dhe e gjeti golin e shpresës që në minutën e 27’. Më pas Juventus do të bëhej i pandalshëm, duke sulmuar në të gjitha format përballë një Atletiko apatike. Në minutën e 48’ Ronaldo shënoi golin e 2-0 që vendosi çdo gjë në baraspeshë, për të përmbysur gjithçka me penallti në minutën e 88’. Juventus shkruan kështu historinë, duke kaluar në raundin e çerekfinaleve me një përmbysje epike dhe që tashmë rrit dozën e optimizmit se këtë vit mund t’ia dalin që ta fitojnë Ligën e Kampionëve.

Por nuk do te jetë aq e lehtë për Juventusin, sidomos kur shikon rezultatin që ka marrë Mançester Siti në përballjen e saj me Shalken. 7-0, ka shkatërruar ekipi kampion i Anglisë Shalken, duke treguar se këtë sezon ka ambicie për t’i shkuar deri në fund këtë kompeticioni. Argjentinasi Aguerro ishte sërish ylli i mbrëmjes me dy golat e tij në fillim, që më pas i hapën rrugën edhe 5 golave të tjerë në të dyja fraksionet e lojës. Kështu Siti kalon në çerekfinale dhe njëkohësisht hedh kandidaturën për një vend në finalen e madhe të “Vanda Metropolitano” në maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë