Qeveria thotë se paraprakisht janë mbi 4 mijë banorë që kanë mbetur jashtë për shkak të tërmetit. Pjesa më e madhe e tyre janë banorë që nuk mund të kthehen në shtëpi për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar godinat.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka thohë se shifra do të ndryshojë për dy arsye në orët dhe ditët në vazhdim.
“E para, sepse një pjesë e madhe e këtyre familjeve janë qytetarë banesat e të cilëve nuk janë dëmtuar rëndë, por që si pasojë e ankthit e frikës kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë dhe që së shpejti me stabilizimin e situatës do të rikthehen në banesat e tyre. E dyta, sepse me gjasë shumë banorë që ende sot i nënvlerësojnë dëmtimet e banesave të tyre, pas verifikimit nga ekipet tona, do të pranojnë të zhvendosen duke sjellë sërish një ndryshim të këtij bilanci”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Qeveria thotë se strukturat shtetërore janë në gjendje që të ofrojnë çdo shërbim.
“Qytetarët duhet ta dinë, që pavarësisht përmasave të tragjedisë, sot jemi në një situatë ku jemi në gjendje të ofrojmë strehim dhe ushqim, veshmbathje e kujdes e mbështetje, për çdo familje e qytetar të prekur. Ekipet tona janë të pranishëm në të gjithë zonat e prekura nga Durrësi e Thumana e deri në Laç e Lezhë. Më konkretisht, po asistohen banorët në kampingjet e ngritura në: Thumanë, Fushë-Krujë, Bubq, Ishëm, Marikaj, Vorë, Kurbin, Laç, Rrogozhinë, Kamëz, Durrës dhe Tiranë”, deklaroi Xhaçka.
Ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm.
“Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, sic janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezhë, Shëngjin apo Berat, apo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët, sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptar e të huaj”, u shpreh ministrja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.