Analize

Tërmetet, toka në Durrës është ngritur me 10 centimetra

Tërmetet e njëpasnjëshme që kanë goditur Shqipërinë brenda orëve të fundit raportohet se kanë ngritur 10 centimetër tokën afër qytetit të Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga një sërë ekspertësh italianë që ishin mbledhur për të folur për tërmetet në Shqipëri  në një emision të “Rai News”. Ngritja e nivelit të tokës është treguar nga pamjet e radarit të marra nga satelitët Sentinel-1 të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Komisionit Europian, të analizuar nga sizmologët e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Ingv). Këto pamje u transmetuan live në Rai.

Radarët kanë vërejtur deformimin e tokës në Durrës, siç ndodhi për tërmetet e vitit 2009 në L'Aquila, 2012 në Emilia Romagna dhe 2013 në Lunigiana.

“Deformimi i tokës u mat nga platforma Geohazard-tep, e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, duke përdorur imazhet e bëra nga satelitët Sentinel-1 para dhe pas tërmetit. Krahasimi midis dy pamjeve bëri të mundur vëretjen e lëvizjes së tokës”, shkruan “Rai” “Kjo është vërtetuar gjithashtu në bazë të sinjalit elektromagnetik të emetuar nga sateliti, i cili ka detektuar ngritjen e sipërfaqes së tokës”, thekson televizioni italian.

Ndërkohë, sizmologu Alessandro Amato, drejtues i Qendrës Alert Tsunami i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologëve në një interviste për mediat italiane për tërmetin tragjik që goditi Shqipërinë thekson se me një forcë të tille goditëse mund të kishte më shumë viktima.

“Me një magnitudë të tillë mund te kishte 300 viktima. Nuk mund të thuhet se “shkoi mirë”, por mund të kishte qenë edhe më keq”, thotë ai, në një interviste për Corriere della Sera.

Shqipëria, shpjegoi gjeologu dhe sizmologu Alessandro Amato, tashmë ishte tronditur në Shtator: në zonë kishte patur një tërmet me madhësi 5.4.

““Zona ishte tashmë aktive për disa muaj, siç ishte rasti i tërmetit të gushtit në Amatrice, me madhësi 6.0, i cili u pasua nga ai i 30 tetorit me madhësi 6.5 (si ai i Durrësit). Apeninët dhe Alpet Dinarike janë dy anët e së njëjtës pllakë, pllaka Adriatik, një grup blloqesh gjeologjike që lëviz drejt veriut dhe rrotullohet në drejtim të kundërt të akrepave të orës”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë