Kombetarja

Tërhiqet nga Kombëtarja Migjen Basha, mesfushori polivalent

Para se trajneri Edi Reja të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e shtatorit me Francën dhe Islandën, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2020, mesfushori Migjen Basha ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja e Shqipërisë. Një vendim i befasishëm i futbollistit kuqezi, pavarësisht moshës së tij. Basha e ka bërë të ditur publikisht vendimin e tërheqjes nga Kombëtarja me një postim në rrjetet sociale.

Futbollisti 32-vjeçar, i cili aktivizohet me Arisin në kampionatin grek, e ka argumentuar këtë vendimin me faktin se dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë familjes dhe njëkohësisht për t’u hapur rrugë lojtarëve të rinj në Kombëtare. Ai numëron 29 ndeshje me fanellën kuqezi dhe 3 gola të shënuar. Ka qenë një lojtarët më të rëndësishëm në ekip vitet e fundit, falë përvojës që ka fituar me skuadra të ndryshme të Serisë A, si Torino dhe Atalanta. Mesfushori polivalent është nga nga futbollistët që kontribuuan në suskesin historik të kuqezinjve, kualifikimin për në Europianin "Francë 2016".Thuajse të gjithë trajnerët e Kombëtares e kanë pasur një pikë referimi, pasi Basha është një futbollist me shumë personalitet, që arrin ta nxjerrë skuadrën përpara dhe di të menaxhojë edhe situatat më të vështira. Një futbollist që shkatërron sulmet e kundërshatrit dhe ndërton lojën e ekipit të tij.

Migjen Basha me fanellën kuqezi. Gazeta Si, 29 gusht 2019

“Ka ardhur momenti i duhur për mua që t’i dedikoj me tepër kohë familjes. Por në të njëjtën kohë, t’u japim mundësinë edhe lojtarëve më të rinj të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, shokët e miqtë e mi gjatë këtyre viteve. Falënderoj stafin teknik të ekipit kombëtar dhe Federatën Shqiptare te Futbollit për mundësinë”, - shkruan mes të tjerash Migjen Basha në profilin e tij në Instagram. Në listën e trajnerit Reja priten risi, ku kryesorja është ajo e mesfushorit Klaus Gjasula, i cili luan pikërisht në rolin e Migjen Bashës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë