Futboll

Tërhiqet nga futbolli Samuel Eto, protagonist i tripletës me Interin

Samuel Eto i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur. Sulmuesi kamerunas e ka bërë në mënyrën e vet, me një postim në Instagram, ku shkruan “The end…vers un nouveau défi”. Një miks mes anglishtes dhe frëngjishtes, që do të thotë: “Ky është fundi…, drejt një sfide të re”. Eto, 38 vjeç, i ka varur “këpucët në gozhdë” pas më shumë se 20 vitesh karrierë. Ka debutuar në futbollin e madh në vitin 1998, në La Liga, me fanellën e Real Madridit, duke zënë vendin e kroatit Davor Shuker. Ka veshur fanellat e skuadrave të mëdha si Barcelona, Çelsi dhe Inter, ka luajtur në Turqi për disa vite dhe së fundi në Katar.

Sigurisht, emri i Samuel Eto është i lidhur me tripletën e famshme të Interit në vitin 2010, kur u bashkua me zikaltrit në shkëmbimin me Zllatan Ibrahimoviç. “Ka qenë marrëveshja më e mirë e historisë së klubit të Interit”, - ka thënë Eto pas eksperiencës me zikaltrit. Me Interin ka luajtur 102 ndeshje dhe ka shënuar 53 gola, ka fituar një Ligë Kampionësh, një titull në Serinë A, Kupën e Italisë, Superkupën e Italisë dhe një botëror klubesh.

https://www.instagram.com/p/B2FMYYBCAAk/?utm_source=ig_web_copy_link
Postimi i Samuel Eto për tërheqjen nga futbolli. Gazeta Si, 7 shtator 2019

Kamerunasi, një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares se vendit afrikan, për shumë vite edhe kapiten i saj, ka pasur një lidhje të fortë me trajnerin Zhoze Mourinjo. Eto ka pasur aftësinë e adaptimit në disa role dhe me portugezin në stol, ka bërë edhe mbrojtësin, duke sakrifikuar jo nga vetja. Por në atë kohë rezultoi një nga “armët” fituese të Interit. Samuel Eto ka lënë gjurmë edhe me fanellën e Barcelonës, duke fituar trofe të ndryshëm, ndërsa në Angli, me Çelësin, nuk pati shkëlqimin e zakonshëm. Ka provuar edhe kampionatin rus për pak kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë