Ministria e Arsimit ka reaguar pas deklaratës së Albana Vokshit për sa i përket mbledhjes së të dhënave të prindërve të nxënësve.
“MASR po krijon rrjetin e komunikimit në kohë reale me prindërit dhe mësuesit. Ky sistem do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt komunitetit të prindërve të cilët duhet të jenë sa më të përfshirë me sugjerime dhe këshilla duke qenë të informuar për çdo rezultat apo nismë. Për ta bërë efektiv dhe të sigurt këtë proces, është parë e nevojshme nga specialistët vendosja e NID si element sigurie, për të shmangur çdo gabim raportimi të të dhënave në emër dhe mbiemër që informacioni të jetë sa më i saktë dhe të shmang dublikimet”, thuhet në njoftimin e MASR.
Ministria e Arsimit shtoi se të dhënave ka vetëm një qëllim, i cili është informimi i prindërve se çfarë ndodh në çdo orë mësimi në çdo shkollë të Shqipërisë.
“Theksojmë edhe një herë, se të gjitha akuzat drejtuar këtij procesi janë të ulëta, në rastin më të mirë dhe dashakeqe ndaj institucioneve të dijes ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve. Për të shmangur spekulimin politik me këtë detaj që është vetëm teknik, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Nikolla ka nxjerr urdhër për heqjen e kësaj kërkese”,vijon njoftimin.
Sipas MASR, ngritja e rrjetit të bashkëqeverisjes me prindërit dhe mësuesit do të vazhdojë edhe në mungesë të elementit NID.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.